Etmond Stojani, personi i cili është shpallur në kërkim për laboratorin e drogës në Fushë Gjormë është drejtori i Kadastrës në Kurbin.
Stojani u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar, “Gjormë 2021”, ku policia zbuloi një magazinë, e cila ishte përshtatur për laborator droge.
Në pranga u vu shtetasi Vranicki Hisku 24 vjeç, i cili në bashkëpunim me Kreun e Kadastrës zhvillonin aktivitetin e paligjshëm.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.
Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.
Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar”, thotë policia.