Anglia shëtit në Air Albania, duke dalë me një 0-2 përballë Shqipërisë, që e lejon të blindojë vendin e parë në Grupin I për kualifikueset e Katar 2022. Shumë e thjeshtë për skuadrën e Southgate, që tregoi në fushë diferenca të frikshme kualitative, duke përfituar edhe nga një kundërshtar që tregoi dhëmbët vetëm një pjesë lojë, ndërsa në kuadrat nuk goditi asnjëherë.
Anglia pas dicka më tepër se gjysëm ore studimi goditi me Kane, që shënoi në mundësinë e parë golin e parë. Sulmuesi i Tottenham i mori kohën Veselit në të 38, duke goditur me kokë aty ku Berisha e shoqëroi vetëm me sy. Një gol kapitullues, sepse askush tek kuqezinjtë, ndoshta as vetë Reja nuk besonte më se mund të merrte nga kjo ndeshje, më shumë se humbja. Në hapësira ishte një lojë fëmijësh për Kane e Foden e të tjerët të ndëshkonin Shqipërinë, por për fat me Berishën u rreshtuan shtyllat: traversa e shpëtoi në të 44 e shtylla në të 52.
Edy Reja bëri pesë lëvizje në formacion, në krahasim me ndeshjen në Andorra, modifikoi modulin e lojës, duke bashkëvepruar Uzuni, Cikalleshi e Broja njëkohësisht, por sërisht nuk mund ti bëjë keq anglezëve, edhe pse në pjesën e parë e pati mundësinë ta bënte. Uzuni goditi mbi traversë në të 13, në një asist të një Hysaj tepër aktiv e plot dëshirë për të treguar veten. Po nga këmbët e shkodranit erdhi edhe mundësia e minutës së 29 kur as Broja e as Cikalleshi nuk arritën dot sugjerimin e mbrojtësit.
Reja riktheu sistemin e zakonshëm, me Lenjanin, Manaj, Gjasulën e më pas edhe Memushaj, por pa arritur të bëjë asgjë. Ndeshjen e mbylli goli i Mount në të 63, duke e bërë pjesën e mbetur monotone, me anglezët që prisnin përfundimin e takimit, për tu katapultuar të vetëm në krye të grupit me pikë të plota në dy ndeshje.