Megjithë vlerësimet e eurodeputetëve në Parlamentin Europian për progresin e Shqipërisë drejt BE, nuk bëhet kompromis: Para çeljes së negociatave duhen plotësuar kushtet e kërkuara.
Eurodeputetja Isabel Santos, raportere për Shqipërinë prezantoi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian të enjten, (10.12) raportin e progresit për Shqipërinë për vitet 2019-2020. Raporti përmban arritjet dhe kërkesat e Këshillit Europian që përkojnë me ato të Bundestagut gjerman e që Shqipëria duhet të plotësojë që të meritojë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Santos i cilësoi shqiptarët një popull europian që meriton të meriton të integrohet në BE.
“Ne besojmë se Shqipëria ka bërë progres të madh. Ne duhet të japim sinjale pozitive. Mosmbajtja e konferencës së Parë Ndërqeveritare do të ishte padrejtësi për ta. Ne kemi të bëjmë me një popull pro-europian, dëshira e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE është e madhe dhe nuk duhet ta humbasim këtë mundësi”, citohet Isabel Santos të ketë thënë në fjalën e saj të prezantimit të draft-raportit.
Kushte të paplotësuara dhe shqetësime
Nga ana tjetër Santos pranoi, se “Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet që i kemi vënë dhe të gjitha kërkesat e Këshillit Europian”. Raporti për Shqipërinë përmban edhe shqetësime për “vijimin e reformave që janë të rëndësishme në radhë të parë për qytetarët e Shqipërisë dhe pastaj për integrimin.” Santos përmendi vijimin e reformave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfundimin e reformës në drejtësi, angazhimin dhe përfshirjen e të gjitha forcave politike në normalizimin e jetës politike, pjesëmarrjen dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proceset politike të vendit, si detyra për t’u plotësuar. “Gjykata Kushtetuese duhet të rikthehet në funksionimin e saj të plotë”, kërkoi Santos.
Po ashtu një shqetësim tjetër për raporteren Santos është edhe largimi i rinisë nga Shqipëria, por e ardhmja e vendit është popullsia e re dhe e talentuar. “Ka shumë nga ata që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar, apo janë larguar. Të krijohen mundësitë që ata të rikthehen, të krijohen kushtet që brezi i ri të qëndrojë në Shqipëri”, nënvizoi ajo.
Eurodeputetët në favor të hapjes së negociatave
Në të njëjtën linjë me raporteren Santos për të mbështetur Shqipërinë në hapjen e negociatave u shprehën të enjten edhe disa europarlamentarë. Eurodeputeti nga Sllovakia, Michal Simacka i ka bërë thirrje Parlmentit Europian të mbështesë Shqipërinë. “Është koha që parlamenti të ngrihet dhe të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Ka bërë reforma të jashtëzakonshme”, është shprehur Simacka.
Kurse eurodeputeti nga Austria, Thomaz Waitz, e konsideroi të rëndësishme për Shqipërinë mbështetjen ekonomike dhe atë ndaj mjedisit. Elsa Fenet nga Komisioni Europian vlerësoi kryesinë e OSBE nga Shqipëria – “një sfidë e madhe për Shqipërinë, pasi këtë vit u përball me sfida të mëdha si situata në Bjellorusi, Nagorni- Karabak etj. Shqipëria ia doli mbanë më së miri në këto situata edhe pse nuk kishte përvoja të mëparshme”, tha Fenet. Draft Progress Raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë për vitin 2019-2020 vlerëson se progresi në anëtarësim bëhet nën metodologjinë e rishikuar të zgjerimit për reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. /DW