Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot prokurorin e Lushnjës, Arben Dyla.
Prokurori, i cili u gjend në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe në momentin që policia e arrestoi me urdhër të SPAK pas dyshimeve për shpërdorim të detyrës, rezulton të jetë hetuar vetëm në një kriter, atë të pasurisë.
Trupa gjykuese gjatë seancës së kaluar ngriti pikëpyetje të forta në lidhje me pasurinë e kreut të prokurorit. Sipas Komisionit prokurori ka dhënë 50 mijë euro me interes 2 për qind, një biznesmeni për një periudhë prej 5 vitesh.
Sipas kontratës të lidhur me palëve në vitin 2016, deri në fund të vitit 2021, biznesmenit duhet t’i kthente Dylës shumën prej 110 mijë eurosh. Si garanci për shlyerjen e shumës, ai kishte lënë një apartament, në të cilin jetonte prokurori, çka bëri të ngriheshin dyshime për një kontratë fiktive. Ndërsa, u ngritën pikëpyetje lidhur me burimin e parave, Dyla deklaroi pagën e tij dhe të bashkëshortes. Prokurori i kundërshtoi gjetjet e komisionit dhe kërkoi rihapje të hetimit administrativ, ndërsa këmbënguli që të hetohej edhe në dy kriteret e tjera.