Tiranë- Vjen reagimi i parë nga Partia Demokratike për ndryshimet e fundit në qeveri, ku kryeministri Edi Rama kaloi në Ministrinë e Jashtme Olta Xhaçkën, pas dorëheqjes së Gent Cakajt, dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Niko Peleshin.
Reagimi i Bardhit:
Nuk ka ndryshime në qeveri, ka riciklim të të korruptuarve për shkak të luftës mes klaneve në pushtet. Edi Rama është i lodhur, i vjetëruar, pa ide, pa ekip dhe i pafuqishëm për të ndaluar këtë luftë që dobëson ekonominë për interesa privatë. Në vend që të ndihmojë financiarisht dhe të rrisë punësimin për shqiptarët, Rama u siguron punë vetëm miqve të tij.
Edi Rama është një dështim. Ai është i paaftë të ndryshojë gjërat dhe vazhdon të bëjë keq e më keq. Vendit nuk i duhen arnime të vjetëruara, por i duhet ndryshim. Prej 8 vitesh Edi Rama ka ofruar veç dështime dhe një qeveri që kujdeset vetëm për veten. Mjaft më! Është koha për të sjellë ndryshimin dhe shpresë të re në Shqipëri. Është koha për të zgjedhur një qeveri që kujdeset për njerëzit, jo për veten e saj.