Komisioni Rregullator ka ndryshuar hartën elektorale për sa u përket mandateve për deputet në qarqet e vendit.
Kryeqyteti do të bëhet me 36 mandate, ndërsa qarku i Dibrës dhe Gjirokastrës praktikisht do të kenë nga një mandat më pak.
Sipas Komisionit Rregullator numri total i shtetasve 4 544 977 (katër milion e pesëqind e dyzet e katër mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë) është pjesëtuar me numrin 140 (njëqind e dyzet) të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 32464 (tridhjetë e dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati [numri real i dalë nga pjesëtimi është 32464,12 (tridhjet e dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër pikë dymbëdhjet)].
Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati 32464 (tridhjetë e dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) shtetas, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh, i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim.
Pas këtij veprimi mbetën pa u shpërndarë edhe 7 mandate për të plotësuar numrin 140.
Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm.
Veprimet e kryera janë të pasqyruara në tabelën e mëposhtme:
Caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të datës 25 Prill 2021 si më poshtë:
Qarku Berat – 7 (shtatë) mandate
Qarku Dibër– 5 (pesë) mandate
Qarku Durrës – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Elbasan – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Fier – 16 (gjashtëmbëdhjetë) mandate
Qarku Gjirokastër – 4 (katër) mandate
Qarku Korçë – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Kukës – 3 (tre) mandate
Qarku Lezhë – 7 (shtatë) mandate
Qarku Shkodër – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Tiranë – 36 (tridhjetegjashtë) mandate
Qarku Vlorë – 12 (dymbëdhjetë) mandate
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ.