Pas disa ditësh thirrje për ndihmë në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shkruan se qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta mbështesë financiarisht kurimin e doktorit të njohur Drini Dobi.
Aktualisht, ai po trajtohet në Itali pasi u infektua nga koronavirusi, ndërsa Manastirliu thotë se “lufta e tij për jetën po vazhdon për arsye të komplikacioneve të mëtejshme”.
Reagimi i plotë:
Kam një falënderim për të gjithë ata qytetarë dhe kolegë, të cilët janë solidarizuar me doktor Drini Dobin, sot kur ngrohtësia e mirënjohjes për kontributin human dhe profesional është kaq e rëndësishme në luftën kundër sëmundjes.
Doktor Drini luftoi me Covid-in dhe lufta e tij për jetën po vazhdon për arsye të komplikacioneve të mëtejshme.
Personalisht kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjen e doktor Drinit dhe me mjekët që po ndjekin trajtimin për problemin e komplikuar shëndetësor të tij.
Qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta mbështesë financiarisht kurimim e doktor Drinit, deri në shërimin e tij të plotë.
Forca Doktor Drini!