Noterja Rezarta Koçi, së cilës iu vu tritol në makinë në nëntor të vitit të kaluar, është arrestuar sot nga policia për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Policia njofton se Koçi, 40 vjeçe në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm, por nuk sqarohet skema që përdorte për të mashtruar.
Më 5 nëntor të vitit të kaluar, noteres iu vu tritol në makinë, në një ndër lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit “Komuna e Parisit”. Autorët nuk janë identifikuar ende, teksa tritoli u konsiderua paralajmërim për gjyqtaren, e cila kishte konflikte për çështje parash me disa persona. Report Tv zbardhi edhe 4 raste kallëzimesh ndaj noteres, nga persona që e akuzojnë se i ka mashtruar.
Në korrik të vitit 2019, Rezarta Koçi është kallëzuar penalisht nga një person me inicialet I. Ç., për shpërdorim detyre dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, në lidhje me një pasuri të llojit hotel.
Në maj të vitit 2021, ajo është kallëzuar nga personi me inicialet E. N për fshehje të ardhurash dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, për një kontratë për shitje të një pasurie të paluajtshme. Në qershor të 2021, një tjetër person me inicialet E. Q., ka kallëzuar penalisht Rezarta Koçin për fshehje të ardhurash, mashtrim dhe mospagim taksash, duke pretenduar gjithashtu se i ka përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash.
Në 9 korrik të 2021, për Rezarta Koçin u depozitua në prokurori një tjetër kallëzim penal, sërish për mashtrim dhe përvetësim parash. Ndërkohë Dhoma e Avokatisë bën me dije se noteres i është hequr edhe licenca.