Deputetja Monika Kryemadhi thotë se pret drejtësi nga SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës, edhe pse thotë se ‘besim kam vetëm në Zot’.
Teksa doli nga SPAK, pas gati 3 orësh ku dha shpjegime për kallëzimin që ka bërë, Kryemadhi tha se ka sjellë prova të reja.
“Sot isha në SPAK inceneratorin Tiranës për të sjellë prova të reja por edhe për të ripërsëritur edhe një herë kallëzimin penal që kam dorëzuar më 4 mars 2021. Gjërat po zbardhen çdo ditë e më shumë. Gjëja e parë që duhet bërë edhe ndalja e pagesave që vazhdojnë bëhen për inceneratorin”, tha ajo.
Deputetja e Partisë së Lirisë tha se Landifilli i Sharrës duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve, ndërkohë që në nëntor është rihapur duke depozituar mbetjet.
“Do të dorëzoj dokumente të tjera në lidhje me këtë. E di që është e vështirë por kam besim të plotë se gjërat do të bëhen. Drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë që paguajnë një kompani ‘ofshore’ e cila grabit 29 euro për ton mbetje. Kjo është një kontratë që vazhdon për 30 vite, ndryshe nga Elbasani dhe Fieri. Pra ne vazhdojmë e paguajmë edhe pse nuk incenerohet, nuk diferencohen mbetjet. Ka dokumente të tjera, ka fakte të tjera”, tha Kryemadhi.