I mirëseardhur Viti i Ri 2021 troket edhe në Shqipëri, që ashtu si e gjithë bota e ka pritur me padurim hyrjen e tij, si një lamtumirë për gjithë të këqijat që solli pandemia e COVID-19.
Ndryshe nga vitet e tjera, spektakli i fishekzjarreve ka sjellë shkëlqim në çdo lagje të kryeqytetit. Për shkak të pandemisë dhe mungesës së qytetarëve në sheshin kryesor të kryeqytetit, këtë vit spektakli i fishekzjarreve ishte menduar ndryshe. Përveç sheshit “Skënderbej”, çdo lagje ka pasur arenën e saj festive.
Tirana e priti ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarret shumëngjyrëshe që shkëlqyen në qiellin e kësaj mbrëmjeje.
Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.