Lajmi ishte kuptuar prej disa kohësh, Fair Play Financiar, duke filluar nga 1 korriku 2022, do të ndryshojë. Po, por si? New York Times është kujdesur për të zbuluar detajet e disa prej rregullave të reja dhe në fakt shpalosi disa nga risitë kryesore. Salary cap, kufiri i pagave, i konsideruar disi unanimisht – por jo nga klubet – si mënyra e vetme për të balancuar llogaritë dhe forcat në fushë, nuk është marrë në konsideratë. Më saktë, nuk është gjetur asnjë mënyrë për të rënë dakord të gjitha palët. Ato që do të ndryshojnë rrënjësisht janë parametrat: ato do të bazohen në të ardhurat dhe kostot e personelit – skuadra, kartonët, pagat, komisionet për menaxherët – dhe kjo kosto nuk mund të kalojë 70% të të ardhurave totale. Deri më tani, tejkalimi maksimal për të gjitha kompanitë ishte 30 milionë, pavarësisht të ardhurave. Versioni i vjetër të pengonte të shpenzoje më shumë se sa kishe arkëtuar, tani do të jetë më i vëmendshëm ndaj bilancit dhe borxheve të klubeve.
Për ta bërë sa më pak të dhimbshme kalimin nga rregullat e vjetra në ato të reja, për tre sezonet e ardhshme kostoja e personelit mund të arrijë deri në 90% të të ardhurave. Disa klube veçanërisht të kujdesshme dhe fitimprurëse që nuk i kanë thyer më parë rregullat mund të kenë një diferencë bonus prej afërsisht 10 milionë dollarë.
Sanksionet do të jenë gjithashtu të ndryshme dhe do të variojnë nga gjobat deri te kërcënimet për përjashtim, për të kaluar, për herë të parë, në rënie në një kompeticion më të ulët të UEFA-s (nga Champions në Europa League deri në Conference League). Për të shmangur të ardhurat e fryra, do të vlerësohen me shumë vëmendje sponsorizimet e fryra apo fiktive nga kompani të lidhura me atë të klubit (rastet e Psg dhe City, por jo vetëm).
Në fund, do të ndryshojë emri: Fair Play Financiar do të zëvendësohet nga Financial Sustainability Regulations. Rregullat e reja pritet të miratohen më 7 prill pas votimit nga komiteti ekzekutiv i UEFA-s.