Disa nga personalitetet më të mëdhenj të futbollit botëror do të jenë të pranishëm në ndeshjen finale të Ligës së Konferencës (UECL) mes Romës dhe Fejnordit, që do të zhvillohet në “Air Albania” më 25 maj.
Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në FSHF, Andi Verçani tha se ish-futbollistë si Luis Figo, Françesko Toti apo Rud Gulit do të jenë në stadium.
“Do të jetë Luis Figo, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, fitues i Topit të Artë. Do të jetë Vonimir Boban, gjithashtu një nga emrat e mëdhenj të futbollit. Fraçesko Toti, Zibi Boniek, por edhe Rud Gulit”, tha ai. Verçani bëri me dije se një pjesë e tifozerive kanë ardhur tashmë në Tiranë, madje disa holandezë kanë ndjekur ndeshjen midis Dinamos dhe Tiranës në “Air Albania”.
Sipas tij, janë rreth 70-80 mijë tifozë që pritet të vijnë në Tiranë, në kuadër të ndeshjes finale. Verçani shtoi se kupa origjinale e Ligës së Konferencës ka mbërritur dje në kryeqytet dhe do të ekspozohet për publikun të mërkurën në orën 10:30, në sheshin “Skënderbej”.