Komisioneri publik Darjel Sina është emëruar anëtar në Gjykatën e Lartë nga presidenti Ilir Meta.
Me këtë emërim të ri, nga sot Gjykata e Lartë, bëhet me 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.
“Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore”, thuhet në reagimin e presidencës.
Plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022). “Kjo tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm”, shkruan presidenca.