Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia që 61-vjeçari, Jani Kallajxhi i akuzuar për ngacmim seksual ndaj vajzës së tij të mitur ka dhënë përpara trupit gjykues. Kallajxhi ka ngritur alibi që vajza e tij është ngacmuar nga persona të tjerë dhe jo nga ai vetë. Ai ka deklaruar që vajzën ia ka marrë para disa ditësh pronari i një lokali bashkë me bashkëshorten, “sepse donin t’i bënin një surprizë.”
“Kam dyshime që ata mund ta kenë ngacmuar vajzën,” është shprehur ai para gjykatës.
Kallajxhi ka deklaruar gjithashtu se ka kërkuar ndihmë nga bashkia, prefekti dhe shoqata të ndryshime për ushqime dhe për ta çuar vajzën në Tiranë pasi është e sëmurë. Ndërkohë burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës thonë se akuzat e 61-vjeçarit për përfshirje të personave të tjerë në ngacmimin e të miturës janë alibi. I vetmi person i vënë nën akuzë për ngacmimin e vajzës, dokumentuar edhe me prova filmike dhe dëshmi, është i ati i saj.
Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 61-vjeçarin deri në përfundim të hetimeve.