Fatos Lubonja e sheh atë që po ndodh në Shqipëri, përfshirë dhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese si një farsë.
Lubonja tha në “Real Story” në News24 se e ka lexuar reformën në drejtësi si hap të mëtejshëm të realizimit të një projekti nga maxhoranca me në krye Edi Ramën për të kapur të gjitha institucionet duke arsyetuar mendimin e tij.
Ai tha se sot Gjykata Kushtetuese ka 3 anëtarë të zgjedhur nga Presidenti dhe pjesa tjetër nëse do jenë 9, janë të maxhorancës.
“Kjo është e gjitha fake, është farsë. Është e vërtetë ajo që tha Shalsi që këtu u shemb diçka, por le të shikojmë se çfarë u shemb dhe çfarë po ndërtohet. Kam qenë kritik për reformën në drejtësi qysh në krye të herës sepse kam menduar që pa vullnet të mirë politik nuk mund të bëhet asgjë e mirë në këtë vend. E kam lexuar që në fillim reformën si hap të mëtejshëm të realizimit të një projekti nga maxhoranca me në krye Edi Ramën për të kapur të gjitha institucionet.
Padyshim që drejtësia jonë ishte me 1001 probleme, kishte gjyqtarë e prokurorë që ishin të tre palëve dhe gjithë synimi i kësaj reformë ishte që të pastrohej drejtësia nga gjyqtarët e Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe të kishte vetëm gjyqtarët e Edi Ramës.
Mekanizmi që u përdor ka qenë mekanizmi i vettingut, i cili çuditërisht nëse do të bësh analizën e gjyqtarëve, po të shikosh vettingu ka sjellë dy probleme të mëdha: E para ajo që u bë ndryshe nga vende të tjera që refuzuan ta bëjnë, nga lart-poshtë dhe jo nga poshtë lart dhe na la 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese; e dyta që u bë në mënyrë selektive. Sot me aq sa njohim, i dimë mirë.
Meqë flasim për Gjykatën Kushtetuese, ishte me ca gjykatës të vjetër, ndërtohej mbi karrierën e tyre, kishte disa lloj zgjedhjesh, ishin ca të Nanos, ndonjë i Metës, i Berishës dhe megjithëse ishin kështu kur erdhi puna për detin vendosi kundër Berishës. Sot shoh një Gjykatë kushtetuese, tre të presidentit, në qoftë se shkohet tek nëtë, gjashtë janë të Edi Ramës.
Unë nuk di të gjej ndonjë aty të opozitës, se të thuash se këta janë të pavarur, harroje. Që të merren vendime në këtë gjykatë, duhen 5 vota. Aty mund të jenë 3 të Ilir Metës që nuk bëjnë kurrë 5 dhe kur të vijë puna që të bëhen 9 me këtë projekt që kanë këta, do jenë 6 me 3 deri sa kur të vijë momenti që të hiqet presidenti, do zgjedhin një president që të jetë noteri i Edi Ramës, ne s’do kemi më gjykatë, do jetë si e Enver Hoxhës. Është projekti, është bërë për të akumuluar pushtetin.
Kjo ka ndodh me bizneset, oligarkët, ishin ca të Ramës, ca të Berishës. I ka marrë Rama komplet. Rruga tjetër është që ka marrë ekonominë komplet në kontroll, drejtësinë, prokurorinë. E patë lajmin e atij Rrahjas, nipit të deputetit? Rama i tha policit të shkretë do ta ndjekim atë horr hap pas hapi. Iku me Zaganin nga vendi për të shpëtuar. Ku e ke drejtësinë, duhet të ishte kapur që këtu.
Shoh një kontrollim të gjitha reformave. Problemi është që të mos hapet Shqipëria, por për të kontrolluar të gjitha këto. Dhe Gjykata Kushtetuese është në këtë proces. Ajo që më shqetëson më shumë janë ndërkombëtarët. Për mua kjo është fasada, mbrapa të cilave fshihet një shtet kriminal i Rrahjave me shokë me të cilët po sundon kjo parti. Drejtësia nuk vepron. Jemi në momentin që sikur të ishte një gjë si ajo e detit me këtë Gjykatë Kushtetuese që po ndërton Rama, as ajo nuk ishte kthyer mbrapsht.
SPAK-u është këtij procesi, të kapjes së drejtësisë dhe reforma në drejtësi këtë ka synuar. Pse opozita e ka përkrahur është problemi i saj. U bë pjesë e këtij procesi. Edhe tani po bëhet pjesë e një procesi Ilir Meta”, deklaroi Lubonja.