VLORË– Një adoleshent, i moshës 15-vjeçare është gjetur i shtrirë në rrugë në qytetin e Vlorës. Ka qenë patrulla e policisë që ka pikasur të riun e shtrirë në tokë, pranë Lungomares, me plagë të shumta në trup.
Efektivët e kanë marrë dhe e kanë dërguar në spital 15-vjeçarin për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Paraprakisht mësohet se një nga plagët që ka në qafë, të riut i është shkaktuar nga ngulja e një kaçavide.
Adoleshenti ndodhet ende nën kujdesin e bluzave të bardha dhe pritet përmirësimi i gjendjes së tij shëndetësore për tu marrë në pyetje. Nga ana tjetër, blutë kanë nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt që 15-vjeçari ka pasur me të tjerë bashkëmoshatarë.