Nisin homazhet në nderim të nënkomisarit Saimir Hoxha që humbi jetën në krye të detyrës dje në Lezhë. Homazhet do të mbahen në Pallatin e Kongreseve duke filluar nga ora 12:00 deri në 15:00 ndërkohë që Hoxha do të shpallet edhe Dëshmor i Atdheut. Në homazhe pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Trupi i Saimir Hoxhës do të prehet në varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ndërkohë që po sot pritet që të zhvillohet dhe ceremonia mortore e vrasësit të tij, 21-vjeçarit Aldi Rama, i cili ndërroi jetë në orët e parë të mëngjesit në spitalin e Traumës.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. Rama ishte i njohur për policinë pasi kishte përfunduar në burg pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike dhe përdhunim.