Para luftës, ky restorant në qendër të Kievit ishte gjithmonë i mbushur plot, në çdo orë të ditës. Ai ishte një vend i frekuentuar shumë nga të rinjtë krijues dhe turistët e huaj. Në kohët normale, ai shërbente kokteje të llojeve Beef Bourguignon dhe Kyiv Mule, por lufta e ndryshoi menunë e këtij restoranti. Tani, ai pjek bukë për spitalet dhe gatuan supë pule për mbrojtësit e qytetit.
Ky restorant është vetëm një ndër shumë të tjerë në Kiev që u mbyllën për klientët e tyre, por hapën kuzhinat për vullnetarët, në mënyrë që të ndihmojne vendin në mes të luftës. Vendi vështirë se mbahet më mend për ditët e festave. Dekorimet janë zhdukur, ndërsa dritaret janë mbuluar me pëlhurë të zezë.
Por, ashtu si përpara luftës, restoranti vazhdon të jetë një magnet për të rinjtë. Shumë vullnetarë vijnë këtu për të gatuar për njerëzit në nevojë. Ndihma që japin për vendin e tyre nën shoqërinë e njerëzve të tjerë, i ndihmon ata të përballen me tragjedinë e luftës. Teksa vullnetarët paketojnë ushqimet për t’i shpërndarë tek ata që janë në nevojë, ka një element që të kujton jetën normale të restorantit: muzika tekno që dëgjohet nga altoparlantët.
Një garuzhde në vend të mitralozit
Pavlo Khrobust, 25 vjeç, punonte në një restorant si kuzhinier, por e la punën e tij para pak kohësh. Lufta e ktheu përsëri atë në kuzhinën e njohur – por tashmë, si një vullnetar. “Fillimisht, kisha dëshirë të bashkohesha me forcat e mbrojtjes së territorit, – tha Khrobust. – Por më pas kuptova që jam i padobishëm atje. Fillova të mendoj se si mund të ndihmoja dhe kuptova se mund ta bëja këtë nëpërmjet gatimit. Në vend të një mitralozi, mora një garuzhde dhe një thikë” – tha ai.
Cilësia e ushqimit për ushtrinë është larg të qenët si ajo e pjatave të restoranteve, tha Khrobust. Ai donte ta ndryshonte këtë gjë, duke u ofruar ushtarëve ushqime të shëndetshme dhe të shijshme. “Duke marrë parasysh intensitetin e aktiviteteve fizike të ushtarëve, ata kanë nevojë për një regjim ushqimor shumë të ndryshëm nga ai që kanë në ushtri, për diçka më të shijshme”, tha ai.
“Ushqimi i mirë mban lart moralin, – tha Khrobust. Ushtarët bëjnë gjithçka që ne të mund të flemë të qetë natën dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ata të ushqehen mirë.” Ai përgatiti një menu të ekuilibruar, e cila përfshin perime, qull me qumësht, supë dhe ndonjëherë, fruta.

Oleksiy Bilyk, 21 vjeç, ofron bukën e sapopjekur. “Dikush tha se mund të na sillte shumë miell, nëse do të mund ta përdornim për ndonjë gjë. Më ra ndër mend një furrë të madhe për pica që kemi në restorantin tonë të dytë dhe mendova që ta përdornim për të pjekur bukë” – tha Bilyk, një kamerier.
Ai arriti të mësonte vetë se si të piqte, duke parë video në internet. Në fillim, ai nuk kishte tava për pjekje, kështu që përdorte pjata dhe tenxhere në vend të tyre. Si rezultat, buka dilte në forma të ndryshme. “Një pjesë të bukës e dërguam nëpër spitale, ndërsa pjesën tjetër ia shpërndamë të moshuarve të vetmuar. Zakonisht, paketonim disa simite të vogla” – tha ai.

Restorantet bashkohen në një përpjekje për të ndihmuar
Ky restorant është vetëm një ndër shumë të tjera në qendër të Kievit që u bënë bashkë për të ndihmuar civilët dhe ushtrinë ukrainase në mes të luftës. Së bashku, ato ofrojnë rreth 20,000 dreka në ditë. Ky grup restorantesh ndodhet vetëm në një prej lagjeve të Kievit.
“Gjatë kësaj kohe të vështirë, ne të gjithë arritëm që të bashkohemi. Kjo është diçka tipike për ne ukrainasit, ana jonë e fortë është që të bëhemi bashkë”, tha Vlada Herasimchuk, 25 vjeç. Herasimchuk punon si kameriere, ndërsa tani është koordinatorja e lëvizjes vullnetare të zonës.
“Ka shumë kuzhina të hapura në qendër,” tha ajo. “Shumë njerëz morën rolet e koordinatorëve. Fillimisht, ne mbledhim kërkesat nga i gjithë qyteti dhe më pas ia kalojmë ato njëri-tjetrit për t’u koordinuar nga pikëpamja logjistike.” Restorantet ndajnë gjithashtu ushqimet me njëri-tjetrin, në bazë të nevojave. “Kemi edhe vullnetarë që kanë makina dhe që janë të gatshëm të ndihmojnë me shpërndarjen,” tha Herasimchuk. Pavarësisht kërcënimit të bombardimeve, vullnetarët kanë më shumë se një javë që vijnë në restorante për të gatuar ushqime për personat në nevojë.
“Ka diçka shumë interesante që e kam kuptuar tani,” tha Herasimchuk, “ukrainasit janë njerëz shumë punëtorë. Të gjithë njerëzit këtu e ndjejnë të nevojshme që duhet të bëjnë diçka.”