Një kontinent i ulët që ekzistonte rreth 40 milionë vjet më parë dhe ishte shtëpia e faunës ekzotike, mund të ketë “hapur rrugën” për gjitarët aziatikë për të kolonizuar Evropën Jugore, sugjeron një studim i ri. I ndodhur mes Evropës, Afrikës dhe Azisë, ky kontinent i harruar – të cilin studiuesit e kanë quajtur “Ballkanatolia” – u bë një portë midis Azisë dhe Evropës kur nivelet e detit ranë dhe u formua një urë tokësore, rreth 34 milionë vjet më parë.
“Kur dhe si vala e parë e gjitarëve aziatikë arriti në Evropën Juglindore mbetet jo e qartë,” shkruajnë paleogjeologu Alexis Licht dhe kolegët në studimin e tyre të ri.
Por rezultati nuk ishte aspak dramatik. Rreth 34 milionë vjet më parë, në fund të epokës së Eocenit, një numër i madh gjitarësh vendas u zhdukën nga Evropa Perëndimore me shfaqjen e gjitarëve të rinj aziatikë, në një ngjarje të papritur zhdukjeje që tani njihet si Grande Coupure. Gjetjet e fundit fosile në Ballkan, megjithatë, e kanë ndryshuar atë afat kohor, duke kthyer vëmendjen drejt një biorajoni ‘të veçantë’ që duket se u ka mundësuar gjitarëve aziatikë të kolonizojnë Evropën Juglindore 5 deri në 10 milionë vjet përpara se të ndodhte Grande Coupure.
Për të hetuar këtë çështje, Licht, i Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, dhe kolegët rishqyrtuan provat nga të gjitha vendet e njohura fosile në këtë zonë, e cila mbulon gadishullin e sotëm Ballkanik dhe Anadollin, shtrirjen më perëndimore të Azisë. Ajo që ata gjetën sugjeron se Ballkani ka shërbyer si një “urë” për kafshët për të lëvizur nga Azia në Evropën Perëndimore, me transformimin e tokës së lashtë nga kontinent i pavarur në urë tokësore, që përkon me disa “ndryshime dramatike paleogjeografike”.
Rreth 50 milionë vjet më parë, Ballkani ishte një arkipelag i izoluar, i ndarë nga kontinentet fqinje, ku lulëzoi një koleksion unik i kafshëve të ndryshme nga ato të Evropës dhe Azisë Lindore, zbuloi analiza. Më pas, një kombinim i rënies së niveleve të detit, rritjes së shtresave të akullit të Antarktidës dhe zhvendosjeve tektonike, lidhën kontinentin e Ballkanit me Evropën Perëndimore, 40 deri në 34 milionë vjet më parë.
Kjo i lejoi gjitarët aziatikë, të migrojnë drejt perëndimit dhe të pushtojnë Ballkanin, tregojnë të dhënat fosile. Sipas Licht dhe kolegëve të tij, kjo rrugë jugore drejt Evropës nëpër Ballkan ishte ndoshta më e favorshme për kafshët sesa kalimi i rrugëve me gjerësi më të lartë përmes Azisë Qendrore, të cilat në atë kohë ishin stepa shkretëtire më të thata e më të ftohta.
Megjithatë, ata theksojnë në studim se “lidhja e dikurshme midis ishujve individualë të Ballkanit dhe ekzistencës së kësaj rruge jugore të migrimit mbetet ende e debatueshme”, dhe se kjo histori “është ndërtuar bazuar vetëm mbi fosilet e gjitarëve”. Shumë nga ndryshimet gjeologjike që krijuan Ballkanin ende nuk janë kuptuar plotësisht dhe është e rëndësishme të theksohet se ky rishikim është vetëm interpretimi i një grupi të dhënash fosile.
Thënë kështu, të dhënat fosile të gjitarëve dhe vertebrorëve të tjerë që jetojnë në ishuj janë zakonisht të pakta dhe të copëtuara, ndërsa të dhënat e pasura fosile tokësore të Ballkanit “sigurojnë një mundësi unike, për të dokumentuar evolucionin dhe zhdukjen e specieve që kanë jetuar dikur në rajon” përfundon ekipi.
Burimi: Science Alert