Kol Paçuku, banor i lagjes numër 4 në Laç, pret prej një viti lajme për rindërtimin. Pallati ku jetonte është shpallur i pabanueshëm nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pasi qëndroi tre muaj në një nga hotelet e Shëngjinit, Paçuku është zhvendosur në një banese me qira në Lezhë.
Plani është që pallati të shembet përtokë dhe të ngrihet nga e para, por sa herë që Paçuku shkon në Laç, ndërtesa vijon të qëndrojë në këmbë.
“Ka muaj që na kanë thënë se pallati do të shembet, por deri tani asgjë nuk është bërë,” tha Paçuku. “Kam ngelur duke ardhur çdo dy ditë në Laç, duke u interesuar tek bashkia, por askush nuk jep përgjigje,” shtoi ai.
Pas çdo dite që kalon, burri thotë se ka më pak shpresa se një ditë do të bëhet me shtëpi të re.
“Po mbahemi me rrena dhe mashtrime,” tha ai. “Nuk kam aspak besim se pallati do të rindërtohet, derisa u bë 1 vit nga tërmeti dhe ende nuk është shembur,” shtoi ai.
Kol Paçuku nuk është i vetëm në fatkeqësinë e tij.
Sipas Bernard Palit – drejtor i Planifikimit Urban në Bashkinë Kurbin, në bilancin përfundimtar të tërmetit në këtë bashki ishin vlerësuar të pabanueshëm 35 pallate dhe 465 banesa individuale. Megjithatë, nga pallatet vetëm 10 janë prishur, ndërsa të tjerët ishin ende të në pritje të ndërhyrjeve.
Pali shtoi gjithashtu se bashkia ka dhënë grante për meremetimin e 1813 banesave të dëmtuara, me një vlerë prej 4.7 milionë USD.
Ndërkohë në Laç ka filluar ndërtimi i një lagjeje të re me mbi 524 banesa, financim i qeverisë turke, nga e cila pritet të përfitojnë gati 1/3 e 1615 familjeve që përfitojnë bonus qiraje pasi mbetën të pastrehë nga tërmeti.
Por shumë banorë të tjerë ashtu si Paçuku shprehen se e ardhmja për ta është e paqartë, ndërsa punimet e rindërtimit nuk duket se japin shumë shpresë.
E ardhmja e paqartë
Bashkia e Kurbinit është një nga zonat që u goditën më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 – i cili shkaktoi 51 viktima dhe disa mijëra të pastrehë dhe është përfshirë në planet për rindërtim të qeverisë.
Megjithatë, një vit pas tërmetit, qyteti i Laçit vazhdon t’i ngjajë një gërmadhe. Disa objekte janë shembur dhe inertet kanë zënë vend aty prej 6 muajsh. Të tjera pallate janë bërë gati për t’u shembur, pa pasur ende një datë të qartë.
Në dyert e institucioneve dhe në lagjet e braktisura gjen çdo ditë banorë, të cilët janë vendosur me qira në zona të tjera, por vijnë për t’u interesuar për shtëpitë e tyre. Mjaft kthehen pas pa informacion të saktë. Ndërkohë, në Kurbin ka ende mjaft familje me shtëpi të pavlerësuara nga grupet e punës, edhe pse banorët thonë që ato janë të pabanueshme.
Alfred Syziu ankohet se shtëpia e tij u bë e pabanueshme nga tërmeti, por nuk ia kanë vlerësuar dhe madje nuk trajtohet as me bonusin e qirasë.
“Tërmeti ma ka shkatërruar shtëpinë dhe prej një viti jetoj në një banese me qira në Laç,” shpjegoi ai. “Qiranë e paguaj vetë, sepse s’më kanë dhënë bonus,” shtoi Syziu.
Ai tregon se ekspertët e kanë cilësuar shtëpinë e tij të braktisur, edhe pse ka dorëzuar dokumentet dhe siç pretendon, ka jetuar aty deri mëngjesin e tërmetit.
“Jam ankuar disa herë, por s’më jep kush përgjigje,” tha Alfredi. “Jemi të gjitha të papunë dhe po jetoj me mjaft vështirësi, duke qenë se me duhet të paguaj dhe qiranë,” shtoi Syziu.
Disa familje presin në çadra
Një vit pas tërmetit, në familjen Murati në Fushë-Milot të Kurbinit asgjë nuk ka ndryshuar. Banesa e tyre u dëmtua rëndë dhe u shpall e pabanueshme, ndërsa 6 pjesëtarët e kësaj familje jetojnë në një çadër të vendosur në oborrin e shtëpisë së shkatërruar.
Më e moshuara e shtëpisë, e cila është 83-vjeç, nuk ka pranuar të dalë nga banesa, e cila rrezikon të shembet.
Kryefamiljari Tahir Murati tregon se jeta në çadër përgjatë këtyre 12 muajve ka qenë mjaft e vështirë.
“Banesa pësoi dëmtime të shumta nga tërmeti dhe grupet e ekspertëve e kanë nxjerrë të pabanueshme, duke e vlerësuar në kategorinë DS4,” tha ai. “Prej 12 muajsh bashkë me gruan dhe 4 fëmijët jetojmë në çadër në kushte mjaft të vështira, sidomos gjatë dimrit,” shtoi ai.
Murati tregon se në zonë fryn shumë erë dhe bën ftohtë, ndërsa pret me vështirësi një dimër të dytë në çadër.
“E kam nënën 83-vjeçe, të sëmurë,” tha ai. “Ajo nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia dhe po rrin brenda rrënojave,” shtoi Murati.
Ai tha se së fundmi ka përfituar bonusin e qirasë, por familja nuk mund të largohet, pasi jetojnë në fshat dhe kanë toka dhe blegtori.
Teksa tregon për vështirësitë që po përballen, e zonja e shtëpisë, Dëshira Murati theksoi se i ftohti në çadër i kishte vënë në rrezik edhe shëndetin.
“Nga i ftohti i dimrit që kaloi, më ka sjellë mjaft probleme shëndetësore,” tha ajo.
“Kam kaluar një të ftohur të rëndë dhe kam frikë se do sëmurem sërish, unë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes,” shtoi ajo.
Gruaja thotë se ata kanë katër muaj që presin që dikush të vijë për ta shembur banesën e dëmtuar – në mënyrë që të fillojë rindërtimi, por deri tani nuk ka shkuar askush.
“I kemi larguar gjërat që kishim brenda, pasi ka katër muaj që na kanë thënë do vijmë të shembim,” tha Dëshira.
“Me sa duket, po na gënjejnë dhe e kam humbur totalisht shpresën se një ditë do më rindërtohet shtëpia,” përfundoi ajo.
Edhe në Lezhë priten ende prishjet
Një situatë e ngjashme është edhe në qytetin e Lezhës, ku nga 10 pallate të planifikuara për t’u shembur, vetëm një është rrafshuar, ndërsa të tjerët janë ende në pritje.
Tonin Nikolli, një prej banoreve të lagjes “Gurra” – pallati i të cilit u bë i pabanueshëm, tregon se prej muajsh pret që ndërtesa të shembet, por ende nuk është bërë asgjë.
“Çdo ditë mendjen e kam tek shtëpia dhe shpresoj që do na bëhet sa më parë,” tha ai.
Nikolli thotë se megjithëse merr bonus qiraje, ai nuk është i sigurt.
“Shqetësim për ne është dhe bonusi i qirasë, pasi çdo muaj na i vonojnë pagesat dhe pronari i shtëpisë që kam marrë, nuk do t’ia dijë, por do paratë në bazë të kontratës që kam me të,” shpjegoi ai.
Në total në bashkinë e Lezhës janë shpallur të pabanueshëm 14 pallate (10 për shembje dhe 4 për përforcim), 2 shkolla dhe 216 banesa individuale.
I kontaktuar nga BIRN, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu tha se për pallatet që do shemben, do të nisë menjëherë rindërtimi, ndërsa për banesat individuale të dëmtuara ende nuk ka një strategji nga qeveria se si do të veprohet.
“Procesi i shembjeve në qytet do të përfundojë brenda 2 muajve dhe menjëherë do të nisë rindërtimi,” tha Ndreu, i cili shtoi se gjithashtu do të rikonstruktohen e përforcohen dhe 79 pallate me dëmtime, por që nuk janë për shembje.
“Në lidhje me banesat individuale që janë për t’u shembur, ne si bashki i kemi bërë të gjitha procedurat dhe jemi në pritje të udhëzimit nga qeveria si do veprohet me to,” theksoi ai.
Në Bashkinë e Lezhës, aktualisht trajtohen me bonus qiraje 336 familje, ndërsa 1043 familje kanë lidhur kontratën për përfitimin e grantit për rikonstruksion të banesave me shkallë dëmtimi DS1, DS2 dhe DS3. Sipas bashkisë, 95 % e përfituesve e kanë tërhequr grantin për kryerjen e riparimeve dhe rikonstruksioneve.
“Gjithashtu janë shpallur përfitues nga aplikimet e fundit edhe 247 subjekte me shkallë dëmtimi DS1, DS2, DS3, por që jemi në pritje të fondit për të lidhur kontratat,” tha bashkia e Lezhës, në një përgjigje me shkrim për BIRN.
Megjithatë, për dhjetëra familje që jetojnë ende në çadra apo kontejnerë, çdo vonesë rëndon.
Donika Vuka nga fshati Pllanë i Lezhës, e cila së bashku me 3 anëtarë të familjes jeton në një kontejner të dhuruar nga Kisha Katolike, thekson se çdo vonesë ia zbeh shpresat për një shtëpi të re.
“Kanë ardhur disa herë e kanë verifiku shtëpinë, na kanë thënë se do shembet, por se kur do ndodhë s’po di,” tha Donika. “Kam shumë pak shpresa se banesa do të ndërtohet në një kohë të shpejtë,” përfundoi ajo. /Birn/