Nga Kisha e Prullit në Lezhë, Presidenti Ilir Meta përcolli disa mesazhe solidarizimi mes shqiptarëve, sidomos në këto ditë të vështira prej që po përballemi prej pandemisë. Kreu i shtetit ftoi të gjithë shqiptarët që të luten për mjekët dhe infermierët që ndodhen në vijën e parë të zjarrit përballë koronavirusit, si dhe për të gjithë ata që sot kanë humbur të afërm apo dhe punët për shkak të situatës nga pandemia. I pyetur për deklaratat e kryeministrit Edi Rama dje lidhur me debatin për numrin e viktimave nga koronavirusi, Meta nuk pranoi që të komentonte duke thënë se “jemi në kishë”.
“Nuk do të flasim në kishë për cështje të tjera, jemi këtu për një cështje të madhe. Zoti të na ndihmojë dhe të lutemi për të gjithë ata që po vuajnë dhe ata që kanë mundësi të bëjnë gjithçka.Të lutemi për mjekët dhe infermierët që sakrifikojnë në kushte mjaft të vështira. Por të lutemi edhe për ata që kanë humbur vendet e punës dhe t’u gjendemi pranë”, tha Meta.