Kompanitë kineze të vaksinave Sinopharm dhe Sinovac kanë paraqitur të dhënat për vaksinat e tyre të Covid-19 që tregojnë nivelet e efikasitetit të cilat pritet të jenë në përputhje me ato të kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha të mërkurën kryetari i një paneli këshillues të OBSH-së, Alejandro Cravioto.
Grupi Strategjik Këshillues i Ekspertëve të OBSH-së (SAGE) shpreson të publikojë rekomandime për këto vaksina deri në fund të prillit, tha kryetari Alejandro Cravioto në një konferencë për shtyp në Gjenevë. “Informacioni që kompanitë ndanë publikisht në takimin me SAGE javën e kaluar tregon qartë se ato kanë nivele të efikasitetit që pritet të jenë në përputhje me kërkesat që OBSH ka kërkuar për vaksinën,” tha ai.
“Kjo do të thotë rreth 50% (efikasitet), mundësisht afër ose mbi 70% dhe natyrisht, ata kanë të gjitha të dhënat e sigurisë për të treguar se kjo vaksinë nuk do të shkaktojë dëm tek njerëzit.”
Zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris, tha në fillim të këtij muaji se vaksinat e Sinopharm dhe Sinovac mund të marrin aprovimin e OBSH-së për përdorim emergjent “shumë shpejt”.
Asnjë e dhënë e hollësishme e efikasitetit të vaksinës së Sinopharm nuk është publikuar publikisht, por zhvilluesi i saj, Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit tha se vaksina ishte 79.34% efektive në parandalimin e zhvillimit të sëmundjes bazuar në të dhëna të ndërmjetme. Ajo është aprovuar në disa vende duke përfshirë Kinën, Pakistanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Të dy vaksinat e prodhuara nga Kina janë kërkuar nga shumë vende në zhvillim të cilat kanë qasje të kufizuar ndaj vaksinave të prodhuara nga kompanitë rivale perëndimore.
Më shumë informacion për vaksinën e Sinovac
Vaksina e kompanisë Sinovac quhen CoronaVac. “CoronaVac është një metodë më tradicionale [e vaksinës] që përdoret me sukses në shumë vaksina të njohura,” tha për BBC Prof. Luo Dahai nga Nanyang Technological University. Një nga avantazhet kryesore të Sinovac është se mund të ruhet në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, si vaksina e Oxfordit.
Vaksina e Sinovac tregoi rezultate të ndryshme të efikasitetit ndërmjet 50.65% dhe 83.5% bazuar në provat në Brazil, Turqi dhe Indonezi. Sinovac është aprovuar për përdorim emergjent për grupet me rrezik të lartë në Kinë që nga korriku.
Qeveria siguroi 1 milion doza vaksina të Sinovac (500,000 doza në fazën e parë) pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për shpërndarjen e këtyre vaksinave. Të dielën, me nisjen e vaksinimit masiv, ministrja Manastirliu theksoi se qytetarët duhet të presin njoftimin e mjekëve të lagjes të cilët do të koordinojnë programin në referencë të regjistrit elektronik të banorëve dhe personave në nevojë. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është kryerja e mbi 10 mijë vaksinimeve ditore. Këtij target-grupi do t’i injektohet vaksina e Sinovac.