Numri i rasteve të reja me Covid të raportuara në të gjithë botën u ul me 16% javën e kaluar, në 2.7 milionë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Numri i vdekjeve të reja të raportuara ra gjithashtu me 10% gjatë së njëjtës periudhë, në 81,000, tha OBSH të martën në mbrëmje në përditësimin e përjavshëm epidemiologjik.
Pesë nga gjashtë rajonet e OBSH-së në botë raportuan një rënie të infektimeve, me vetëm Mesdheun Lindor që tregon një rritje, prej 7%. Numrat e rasteve të reja ranë 20% javën e kaluar në Afrikë dhe në Paqësorin Perëndimor, 18% në Europë, 16% në Amerikë dhe 13% në Azinë Juglindore.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të hënën se numri i rasteve të reja ka rënë për të pestën javë rresht, duke rënë me gati gjysmën, nga më shumë se 5 milionë raste në javën e katërt të janarit.
“Kjo tregon që masat e thjeshta të shëndetit publik funksionojnë, madje edhe në prani të varianteve. Ajo që ka rëndësi tani është se si i përgjigjemi kësaj tendence. Zjarri nuk është shuar, por ne kemi zvogëluar madhësinë e tij. Nëse ndalemi së luftuari në ndonjë front, do të kthehet përsëri,” tha ai. Ndërkohë struktura Covax, përpjekja globale e shpërndarjes së vaksinave Covid-19 në vendet e varfra ose në zhvillim, tha se lista e saj përfundimtare e dërgesave të para do të lëshohet javën e ardhshme, pasi OBSH miratoi vaksinën kompanisë AstraZeneca/Oxford.