Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë vizituar një laborator në Wuhan të Kinës për të cilin ka pasur pretendime se nga aty ka dalë koronavirusi. Inspektimi i institutit të virologjisë Wuhan, në të cilin kryhen hulumtime mbi sëmundjet më të rrezikshme në botë, do të jetë një nga ndalesat në hetimet për origjinën e pandemisë COVID-19.
“Ne po presim me padurim të takohemi me të gjithë njerëzit kryesorë këtu dhe të bëjmë të gjitha pyetjet e rëndësishme që duhet të bëhen”, tha zoologu dhe anëtari i ekipit Peter Daszak, sipas një video të transmetuesit japonez TBS. Daszak thotë se shkencëtarët po marrin të dhëna të cilat askush nuk i ka parë më parë dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë që virusi të kishte dalë nga një laborator. Kina e ka mohuar atë mundësi dhe ka folur për teori të pabazuara se virusi mund të ketë origjinën diku tjetër ose është sjellë në vend me importet e prodhimeve të detit të ngrirë.
Shumica e shkencëtarëve mendojnë se COVID-19, i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan dhe që ka vrarë më shumë se dy milionë njerëz në të gjithë botën, e ka origjinën nga lakuriqët e natës dhe mund t’u transmetohej njerëzve përmes një gjitari tjetër. Ekspertët e OBSH-së qëndruan brenda institutit për gati katër orë, përpara se të largoheshin pa u ndalur për të folur me mediat që prisnin jashtë./ REL