Numri i rasteve pozitive me Covid-19 në Europë është rrit javën e kaluar duke i dhënë fund rënies e cila vazhdonte prej gjashtë javësh, paralajmëroi ditën e djeshme OBSH.
Më shumë se një milion raste të reja me virus u regjistruan javën e kaluar në 51 vendet e rajonit europian të OBSH-së. Kjo përfaqësoi një rritje prej 9% të javës së kaluar, u tha gazetarëve të hënën Dr. Hans Kluge, drejtori i OBSH-së në Europë.
Ai u bëri thirrje vendeve të “rikthehen te gjërat themelore” duke rritur vigjilencën për variante, duke përmirësuar testimin, gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e rasteve dhe përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave.
OBSH tha se varianti i Mbretërisë së Bashkuar është raportuar në 43 nga vendet e rajonit ndërsa variantet e Afrikës së Jugut dhe Brazilit deri më tani janë vënë re përkatësisht në 26 dhe 15 vende.
Ai theksoi se pandemia ka “përkeqësuar pabarazitë gjinore” dhe se rastet e konfirmuara janë aktualisht më të zakonshme te gratë, të cilat kanë më shumë gjasa sesa burrat të punojnë në profesione të kujdesit shëndetësor.