Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se ndotja e ajrit është edhe më e rrezikshme nga sa mendohej. OBSH thotë se rreth 7 milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit nga sëmundjet e lidhura me ndotjen e ajrit.
Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë më shumë, për shkak të mbështetjes së tyre në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik.
OBSH e vendos ndotjen e ajrit në të njëjtin nivel me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm. Ajo po u kërkon 194 shteteve anëtare të saj që të ulin emetimet dhe të ndërmarrin veprime për ndryshimet klimatike, përpara samitit të COP26 në nëntor. Udhëzimet e reja, të publikuara të mërkurën, përgjysmojnë maksimumin e rekomanduar për ekspozimin ndaj grimcave të vogla të quajtura PM2.5. Ato prodhohen nga djegia e karburanteve në prodhimin e energjisë, ngrohjen shtëpiake dhe motorët e automjeteve.
“Pothuajse 80% e vdekjeve të lidhura me PM2.5 mund të shmangen në botë nëse nivelet aktuale të ndotjes së ajrit zvogëlohen në ato të propozuara në udhëzimin e përditësuar,” tha OBSH.
Ndotës të tjerë të veçuar në udhëzime përfshijnë ozonin, dioksidin e azotit, dioksidin e squfurit dhe monoksidin e karbonit. Ndotja e ajrit lidhet me probleme si sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Tek fëmijët, mund të zvogëlojë rritjen e mushkërive dhe të shkaktojë astmë të rënduar.
Burimi: BBC