Ndonëse vaksinat kundër Covid-19 po përhapen përqark globit, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se imuniteti i tufës nuk do të arrihet këtë vit. Imuniteti i tufës është një formë e mbrojtjes në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga sëmundja infektive që ndodh kur një përqindje e mjaftueshme e një popullate është imune ndaj një infeksioni, qoftë përmes vaksinimit ose infeksioneve të mëparshme, duke zvogëluar kështu gjasat e infeksionit për individët që nuk kanë imunitet. Përqindja e popullsisë imune ndryshon në varësi të infeksionit.
Shkencëtarja kryesore e OBSH-së, Soumya Swaminathan, theksoi se do të duhet kohë për të prodhuar dhe administruar doza të mjaftueshme vaksinash për të ndaluar përhapjen e virusit.
“Ne nuk do të arrijmë asnjë nivel të imunitetit të popullsisë ose imunitetit të tufës në vitin 2021,” tha ajo në një konferencë shtypi virtuale nga selia e OBSH-së në Gjenevë. Swaminathan vërejti se përhapja “kërkon kohë”.
“Duhet kohë për të shkallëzuar prodhimin e dozave, jo vetëm në miliona, por këtu po flasim në miliarda,” vuri në dukje ajo, duke u bërë thirrje njerëzve që të jenë pak të durueshëm.