VLORË– Rreth 100 efektivë nga Tirana kanë zbarkuar sot në ambientet e paraburgimi të Vlorës, për të ushtruar kontrolle në qelitë e të burgosurve. Për rreth një orë, efektivë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tiranë zbërthyen çdo cep të qelive të të prangosurve por pa gjetur asgjë.
Në procesverbalin që është mbajtur për kontrollin e kryer, ka të dhëna mbi sendet që janë gjetur, përfshirë disa televizorë pa vulë apo tenxhere të vjetra. Po ashtu në procesverbal thuhet se u është lënë porosi drejtuesve të institucionti të paraburgimit të Vlorës që të kryejnë riverifikimin e vulave të sigurisë për të gjitha elektroshtëpiaket që ndodhen në burg.
Ndërsa në asnjë rresht nuk përmendet mbajtja e sendeve të paligjshme. Ende nuk dihen arsyet zyrtare të këtij operacioni të papritur apo se kur Policia do të japë njoftimin e detajuar lidhur me aksionin. Gjithshtu nuk dihet nëse për aksionin e zhvilluar ka pasur ndonjë indicie apo do të aplikohet edhe në ambientet e tjera të vuajtjes së dënimit.