TIRANË– Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka deklaruar se kryedemokrati Lulzim Basha ka një defekt, të dëgjon kur i jep një sugjerim, ta aprovon, por në fund nuk e vë në zbatim. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, Paloka tha se vendimi i Bashës për ta përjashtuar Berishën ishte i gabuar. I pyetur se përse nuk ka folur më herët në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike, Paloka tha se nuk ka dashur ta agravojë më tepër situatën.
Pjesë nga intervista:
Nisida Tufa: Përse nuk keni qenë prezent për të folur për këtë çështje në studio televizive?
Edi Paloka: Ishte zgjedhje e imja për të mos i hedhur benzinë zjarrin. Por tani kështu si kanë ardhur situatat duhet folur. Përplasja dhe krisja midis dy palëve tashmë, kushdo mund ta mohojë por sot në PD janë dy palë që përpiqen në rrugë të ndryshme për të gjetur zgjidhje. Demokratët e thjeshtë janë përditë në goditjen e regjimit prej më shumë se 8 vite dhe presin zgjidhej, presin që ne ti çojmë drejt fitores të gjithë bashkë. Partia Demokratike ka qenë në mbështetje të Bashës dhe të gjithë u përpoqëm që Basha të bëhej kryeministër i vendit. Këtë nuk e mohoj. Unë kam qenë 8 vite Mund të kem debatuar me Bashës por nuk mund të dal sot edhe të them që shiko unë atëherë kam qenë kundër, pasi vetë atë e kam mbështetur.
Nisida Tufa: I mbështesni të gjitha deklaratat e Berishës ndaj Bashës?
Edi Paloka: Unë kam qëndrimet e mia, ai mund të ketë gjera të tjera. Por sido që të vijë puna nuk mund të arrij të mendoj që Basha ka marrëveshje me Ramën që në 2017 për të shkatërruar PD sepse po ta mendoja këtë do të isha unë i pari për ta larguar. Unë i kam thënë se kishte marrë vendimin më të gabuar në mënyrën më të gabuar, në zyrë. Këtë ia thashë që në momentin kur mori vendimin për përjashtimin e Berishës. Unë gjërat kur nuk më…
Nisida Tufa: Pranon Basha kritika?
Edi Paloka: Një nga defektet e Bashës është që të dëgjon ndonjëherë edhe ta miraton atë që thua , por nuk e bën, bën atë që do vetë dhe ky është problem.
Nisida Tufa: Pritshmëritë tuaja për vendimin e Bashës?
Edi Paloka: Unë nuk e kam pritur farë këtë vendim, realisht mbase edhe nga bisedat që kemi bërë me Bashën sepse janë bërë disa biseda mes meje dhe tij për këtë çështje. I kam thënë non-grata e Berishës nuk është kundër Berishës është kundër teje si kryetar i PD dhe kundër PD-së. Kjo për mua ka qenë dhe mbetet goditje politike ndaj PD për të mbështetur Edi Ramën, pra është një gjetur një mënyrë me lobime, pra të goditet Berisha dhe më pas e gjithë PD. Këtë mendimin tim ia kam thënë kur ambasadorja amerikane foli për çështjen e barit …Edhe po ta fusnim për diskutim sot këtë çështje ne do të na hidhen në fyt demokratët. I kam thënë se nëse vetëm do ta diskutojmë si çështje ne na ikën gjysma e partisë dhe jo më ta largonim”.
Nisida Tufa: Nëse do të ishit kryetar i PD çfarë do bënit?
Edi Paloka: Edhe zgjidhjet ia kam dhënë. Pasi u mor vendimi, i kam thënë ka një parim universal në drejtësi je i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia jote jo e anasjellta dhe zoti Basha kishte vënë të kundërtën. Zoti Berisha momentin që vërtetohet fajësia atëherë largohet.
Ç’po ndodh në PD?
Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 11 dhjetor. Ai pretendon se ka dorëzuar 4 mijë e 200 formularë me firmë të demokratëve, shumë më tepër se 1 e katërta që i nevojitet për të thirrur Kuvendin, por Basha nuk e njeh këtë procedurë. Edhe pse është ftuar nga vetë Berisha e Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilit i janë besuar formularët, Basha nuk është paraqitur për të bërë verifikime. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmnet Bardhi është shprehur publikisht se firmat dorëzohet në sekretariatin e partisë, verifikohen aty e më pas nëse janë korrekte thirret Kuvendi. Sipas Bardhit nuk ka Kuvend më 11 dhjetor pasi është tejkaluar çdo limit kohor dhe në selinë blu s’ka shkuar asnjë kërkesë zyrtare.