Të parët që ankohen janë prindërit. Mësimi online për shkak të pandemisë, nuk është vetëm një test për nxënësit, por tanimë është një sprovë e vërtetë për kryefamiljarët. Shumë prindër në qytetet më të mëdha kanë gjetur një zgjidhje provizore. Ata i kanë dërguar në kurse, por qindra të tjerë nuk kanë asnjë mundësi dhe ndaj shkollimin e fëmijëve ja kanë besuar dhe ja kanë lënë në dorë mësimdhënies virtuale.
Dhe në këtë pikë Luigji, nga Mamurrasi flet pa ndalur dhe radhit një sërë problemesh. Ka tre fëmijë, jeton në Mamurras dhe shpesh gjatë këtyre muajve është ndjerë jo i zoti për ti ndihmuar fëmijët për të aksesuar orën e mësimit. 53 vjeçari numëron barrën që i kaloi atij që ndonjëherë i duket vetja si mësues, për lëndë që nuk i njeh.
“Nuk kam mundësi tu plotësoj kushtet me kompjuter ose nga një telefon të tre fëmijëve. As një kompjuter, as me nga një telefon”, e nis bisedën Luigji.
Më i madh i fëmijëve ndjek shkollën e mesme. Dy të tjerët janë në shkollë 9-vjeçare. Që prej 1 dhjetorit 2020, atëherë kur Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit vendosi që mësimi në sistemin parauniversitar të bëhej me alternime në shkollë dhe online, Luigji ditë pas dite po mbulohet nga pesimizmi.
“Nganjëherë e kanë të pamundur t’i ndjekin mësimet online pasi unë jam në punë. Kjo ka ndikuar në mënyrën e mësimit të tyre, pasi janë të detyruar të pyesin shokët e tyre të klasës për mësimet që kanë bërë. Ndërsa për detyrat zakonisht i bëjnë pasi mësuesit i dërgojnë kërkesat në whatsapp. Por edhe detyrat ndodh që ti dërgojnë me vonesë kur unë jam në punë. Një problem tjetër është interneti, pasi të pasurit tre fëmijë në shkollë kërkon shumë internet dhe një ofertë e thjeshtë me 14 mijë lekë nuk del dhe detyrohem që të shtoj megabyte dhe një ofertë mujore më shkon deri në 30 mijë lekë në muaj”, përmbledh për ACQJ kryefamiljari.
Por këto nuk janë probleme të zbuluara muajt e fundit. Prej shpalljes së pandemisë që nga marsi i vitit 2020 deri në qershor 2020, edhe tani mësimi online ka shfaqur sërish probleme në funksionimin e tij. Këtë gjë e tregon edhe raporti i publikuar nga Banka Botërore ku Shqipëria cilësohet si një nga vendet ku raportin për pajisjen me një kompjuter për familje e ka një në tre të tilla.
“Të dhënat e PISA 2018-ës, ndonëse të kufizuara për nxënësit e arsimit të mesëm, ofrojnë një përllogaritje të gatishmërisë së familjeve për arsimim online. Mesatarisht, një në dhjetë familje me nxënës në Ballkanin Perëndimor nuk ka kompjuter. Në Shqipëri, kjo shifër rritet me thuajse një të tretën, 28 për qind. Ka dallim të madh midis pronësisë mbi burimet e TIK-ut dhe përdorimit të tyre për arsimim”, nënvizohet në raportin e Bankës Botërore.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore komunikoi me disa nxënës të gjimnazeve në qytete të ndryshme që tregojnë se sa e vështirë është të ndjekësh një orë mësimi online. Ngërçi nis me aksesimin.
Alesia është nxënese e klasës së 10-të në gjimnazin jopublik “Rogacionistët” në qytetin e Lezhës dhe problemet sipas saj nisin me aspekte që kanë direkt lidhje me kushtet bazike. Ndërprerja e energjisë elektrike herë pas here, sjell shkëputje nga rrjeti dhe kjo situatë i ka shkaktuar ankth dhe më tej shpërqëndrim.
“Problemet me internetin, me dritat apo me pajisjet teknologjike që përdorim në disa raste sjellin probleme në mësim. Mosfunksionimi i mikrofonit, kamerës, fikja e dritave kryesisht përgjatë ditëve të ftohta që zaptuan krejt vendin janë disa nga problemet me shqetësuese”, qartëson e mitura.
Vështirësitë e tjera vijojnë me sinkronizimin me anëtarët e tjerë të familjes.
“Është e vështirë në kushte shtëpie, pasi duhet të menaxhosh marrëdhëniet me familjarët, kamerën dhe mikrofonin, duhet të kryesh veprimet e duhura, në momentet e duhura. Bëhesh pengesë në përditshmërinë e familjarëve”.
Sa përqind përthith nxënësi nga një orë mësimi online? Kjo të çon tek komunikimi i vështirë dhe menaxhimin e klasës me shumë nxënës, radhit si problem të tretë 15 vjeçarja.
“Për sa i përket efektivitetit të mësimit online, nuk ka të krahasuar me atë fizik pasi komunikimi me njëri-tjetrin dhe me mësuesin është i vështirë”, shpjegon Alesia.
Ndërsa për nxënësen E.B në gjimnazin “Arif Halil Sulaj” në Mamurras, mungesa e pajisjes teknologjike është problem i parë që ajo has për ta aksesuar mësimin online.
“Nuk futem asnjë herë në mësimin online, pasi nuk kam telefon ose kompjuter, të vetmin telefon që kemi në shtëpi me internet e mban mami pasi i nevojitet për në punë”, veçon 16 vjeçarja.
Por shumica e të intervistuarve nga ACQJ thonë njëzëri vështirësinë që përballet secili prej tyre, pavarësisht se ndonjëri mund të ketë kompjuter, ose tjetri mund të ketë edhe njërin nga prindërit në banesë. “Është shumë e vështirë, sepse nuk mund të kuptojmë shumë mirë temat, janë disa lëndë të cilat duan shumë ushtrime që të bëhen për t’i kuptuar”, thekson nxënësi L.U nga klasa 11 në gjimnazin e Mamurrasit.
Sakaq presidentja e këtij gjimnazi, Antigona Llozhi i vendos pikat mbi “I” dhe e drejton gishtin tek platforma, mandej përmend përjashtimin nga aksesimi i njëjtë i nxënësve në zonat rurale.
“Ka pasur goxha probleme në mosfunksionimin e platformës akademi.al për shkak të ngarkesës që ka kur zhvillohet mësimi online. Në gjimnazin tonë përveç nxënësve që janë nga qyteti, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë nga fshatrat dhe disa herë vërehet që e kanë të pamundur të përfshihen nga interneti i dobët. Mësimi online ka kosto në ekonominë familjare, sepse shumë familje nuk kanë patur akses të përhershëm në internet apo pajisjet elektronike të përshtatshme dhe janë detyruar ta bëjnë këtë shpenzim që fëmijët e tyre të vazhdojnë ta ndjekin mësimin njësoj si bashkëmoshatarët e tyre”, thotë Llozhi.
Këto vështirësi kanë emërues të përbashkët edhe për nxënësit e gjimnazit “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç.
Rrezik nga analfabetizmi
Problemin e të nxënit e ka raportuar si problem edhe Banka Botërore, e cila jep alarmin se me mësimin online rrezikon të rritet edhe më shumë analfabetizmi funksional.
“Shumë nxënës mund të rikthehen në analfabetizëm funksional. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përqindje shumë të madhe (mesatarisht 53 për qind) nxënësish nën kompetencën elementare, në krahasim me rreth 23 për qind në vendet e OECD-së. Duke supozuar se nxënësit që kanë pikë më të ulëta do të kenë humbje më të thella të nxëni, numri mesatar i nxënësve që janë nën kompetencë elementare në lexim, mund të rritet nga 53 për qind aktualisht në 61 për qind. Ndikimet e këtij rezultati në politika janë të konsiderueshme: kjo nënkupton se kur të rihapen shkollat, më shumë nxënës mund të mos e kapin nivelin minimal të pritshëm të kompetencës për moshën e tyre”, theksohet në raportin e Bankës Botërore.
Ky alarm, mbështetet edhe nga Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar. Në një intervistë për ACQJ, Nevrus Kaptelli, presidenti i kësaj sindikate na tregon problemet që raportohen në të gjithë Shqipërinë.
Problemi i parë sipas Kaptellit është mos funksionimi totalisht i platformave që zhvillohet mësimi online dhe mungesa e internetit apo e mjeteve të nevojshme.
“Platforma digjitale “Akademi.al” dhe platformat e tjera që po përdorin nxënësit në klasa virtuale nuk funksionojnë normalisht dhe shpesh bllokohen, pasi nuk përballojnë dot ngarkesën. Një pjesë jo e vogël e nxënësve nuk kanë mjetet e nevojshme dhe akses në internet për marrjen e mësimit online. Një numër i konsiderueshëm nxënësish neglizhojnë të marrin pjesë në mësim”, tregon Kaptelli.
Zonat rurale janë më të rrezikuarat dhe njëkohësisht të varfërit janë në rrezik real për të aksesuar shkollimin virtual njëlloj si familjet me mundësi ekonomike të kënaqshme.
“Më shumë probleme në zhvillimin e mësimit online paraqesin zonat rurale, ku aksesi në internet i nxënësve është i kufizuar. Disa familje kanë më shumë se një fëmijë në shkollë dhe nuk disponojnë mjete digjitale për secilin prej tyre. Një pjesë e mësuesve dhe shumë prej familjeve shqiptare që kanë fëmijë në shkollë përballen në pamundësi ekonomike për të përballuar kostot e mësimit online. Shumë familje jetojnë në kushtet e mbijetesës, ku si të ardhura mujore kanë vetëm ndihmën ekonomike që marrin nga bashkitë”, e mbyll kreu i Sindikatës së Arsimit.
Sipas BB-së për shkak të të nxënit në distancë (mësim online), do të rritet edhe hendeku i arritjeve midis nxënësve më të varfër dhe më të pasur: “Hendeku i arritjeve ndërmjet nxënësve më të varfër dhe më të pasur, që aktualisht është nga 1,5 vjet shkollim në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë në mbi 2 vjet në Maqedoninë e Veriut, ka gjasë të rritet më tej, pasi nxënësit në rrethana varfërie kanë më pak gjasa të përfitojnë nga metodat e të nxënit në distancë”.
Nuk është faji vetëm i platformës
Pandemia vazhdon të ndikojë në të gjitha fushat e jetës. Dhe një ndër to, është mësimdhënia që po ndiqet me orare të reduktuara dhe më tej në distancë. Por sipas Dean Çelajt i cili ishte personi që zhvilloi platformën Akademi.al, problemet vijnë për shkak të numrit të lartë të përdoruesve. Mungesa e informacionit nga ana e mësuesve dhe nxënësve, sjell më pas sipas Çelajt konfuzionin e lakuar së fundmi.
“Problemi kryesor ka ardhur si pasojë e fluksit. Platforma jonë ka rreth 20,000,000 klikime në muaj dhe aktivitetet që kryen aty janë të rënda për serverin si shikimi i videove, takimet live, shkëmbimi i detyrave. Mësuesit dhe nxënësit nuk janë trajnuar të gjithë për të përdorur platformën. Shumë gjëra që atyre i duken probleme në fakt vijnë si pasojë e mungesës së informacionit”, këmbëngul Çela.
Ndërsa sa i përket zonave që kanë më shumë probleme, Çelaj thekson se për shkak të privatësisë nuk disponohet informacion për këtë çështje.
“Nuk e kemi këtë informacion sepse të dhënat që marrim ne nga nxënësit dhe mësuesit janë minimale për t’i mbrojtur privatësinë dhe të dhënat personale”, e mbyll 23-vjeçari i cili ka mbaruar studimet në “University College London” me bursë nga “Fondi i Ekselencës” nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Marrë nga ACQJ
Shkroi: Klevis Paloka