Tiranë- Ministrja e Arsimit, Evis Kushi është shprehur se masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në shkolla kanë parashikuar pushime më të gjata të fundvitit.
Gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, së bashku me kreun e Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, ku mori mendimet e mësuesve dhe nxënësve për mësimin e kombinuar në shkollë dhe mësimin “online”, ministrja deklaroi se këtë fundvit do të ketë një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera.
“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi “online”, por edhe konsiderohen si jo-transmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tre-mujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, u shpreh Kushi.