Tiranë- Mjeku kardiokirurg, Edvin Prifti, që përfundoi në burg pas skandalit të zbuluar në Gjykatën e Krujës, ka apeluar vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme. Në kërkesën e tij, mjeku Prifti thotë se duhet t’i hiqet masa shtrënguese “Arrest me burg”.
Në apelimin e siguruar nga gazeta “Panorama.al”, thuhet se paratë e sekuestruara nga SPAK, duhet të rikthehen, pasi sipas mjekut, janë paratë e bashkëshortes dhe vërtetohen nga një aktmarrëveshje shitblerjeje.
“T’i kthehen Enida Priftit të hollat e sekuestruara në çantën e të hetuarit dhe në banesë, sepse nuk janë prova materiale ose sende që lidhen me veprat penale, për të cilat ai hetohet, por pjesërisht pasuri e ligjshme që buron nga një marrëdhënie juridike civile dhe diferenca eventuale, kursime familjare, për të cilat nuk ka pengesë ligjore të mbahen në banesë”, thuhet në kërkesën e siguruar.
Nga ana tjetër, sa i përket parave të gjendura në shtëpi e në zyrë, janë pyetur bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, por këto të fundit kanë thënë se këto para nuk janë nxjerrë prej tyre. Nga sa raportohet, ka qenë gruaja e mjekut që ka deklaruar se paratë ishin të saj dhe se i kishte përfituar nga një kontratë shitblerjeje që nuk ishte noterizuar ende. Prifti u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, por menjëherë më pas avokatët kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij.
KËRKESA E MBROJTJES NË GJYKATË
Që në çastin e përpilimit të procesverbalit të kontrollit të banesës, i pandehuri dhe mbrojtja pretenduan dhe pasqyruan në procesverbal faktin se të hollat e sekuestruara ishin të ligjshme, i përkisnin bashkëshortes së të hetuarit znj. Enida Prifti dhe buronin nga një marrëdhënie juridike për shitjen e pjesës ideale (1/9 pjesë e pasurisë së pandarë), që ajo trashëgon nga babai dhe që është pasuria me nr.1847, e llojit truall me sipërfaqe 2000 m2 , nga e cila 435 m2 është ndërtesë, fakt që vërtetohet nga certifikata e vërtetimit të pronësisë. Kjo pronë ndodhet në Priskë të Madhe (Dajt) dhe njihet me emrin “Kompleksi Triada” (bar. Restorant, hotel).
Për të vërtetuar këtë fakt, të pretenduar qysh në çastin e kontrollit, paraqitën një aktmarrëveshje, të datës 23.12.2020, të lidhur mes shtetasve Enida Prifti, nga njëra anë shitësja dhe Alba Hoxha e Kreshnik Sinani (blerësit), ku e para bën premtimin për kalimin e pronësisë të pjesës së saj takuese kundrejt shumës 350 mijë euro, pasi blerësit të kishin zgjidhur problemin e pëlqimit të bashkëpronarëve të tjerë. Paratë janë dhënë në dorë, jashtë kanaleve bankare, sepse ky ishte vullneti i palës blerëse.
Gjykata pasi e analizon këtë dokument të paraqitur nga mbrojtja, konkludon se nuk është hartuar para noterit, kështu që i mungon vlefshmëria për shkak të formës. Nga ana tjetër, Gjykata orvatet të interpretojë kuptimin juridik të dokumentit (pra, nëse kjo marrëveshje është apo jo dokument), por në këtë pikë e humbet tërësisht orientimin dhe në vend t’i referohet kuptimit të dokumentit sipas Kodit të Procedurës Civile e Penale.
Në fund, konkludon se aktmarrëveshja nuk përbën dokument me vlerë provuese, ndaj të hollat e sekuestruara i vlerëson si të ardhura jo të ligjshme.
Duke përmbledhur sa thamë më sipër, Gjykata do të duhej të vlerësonte aktmarrëveshjen e datës 23.12.2020 si shkresë të thjeshtë dhe fuqinë e saj provuese në përputhje me nenin 259 të Kodit të Procedurës Civile, që do të thotë që nga përmbajtja e kësaj shkrese provohet plotësisht se Alba Hoxha dhe Kreshnik Sinani i kanë dhënë Enida Priftit shumën prej 350 mijë euro.
Në procesin penal nuk ka pengesë të merren dokumente që përfaqësojnë fakte, nëpërmjet fotografimit, filmimit, fonografimit ose çdo mjeti tjetër. Sikundër parashtruam, akt-marrëveshja e datës 23.12.2020 është një dokument i krijuar materialisht jashtë këtij procedimi penal, i cili provon pikërisht faktin se Alba Hoxha e Kreshnik Sinani i kanë dhënë Enida Priftit shumën prej 350 mijë eurosh. Fuqia e tij provuese mund të goditet vetëm nëse provohet se ai është dokument i falsifikuar.
Lidhur sa më sipër, të hollat e sekuestruara nuk përbëjnë provë materiale dhe as sende që lidhen me veprat penale për të cilat hetohet z. Edvin Prifti, ndaj ato duhet t’i kthehen zotërueses së ligjshme të tyre znj. Enida Prifti.
Para së gjithash, dëshirojmë të theksojmë se ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm lidhur me krimin e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, mbështetej në regjistrimin e komunikimeve telefonike mes bashkë të hetuarave, zonjave Manuela Mallkuçi, Migena Skënderi e Trëndafile Frangu, prej nga rezultonin indicie se, për të mundësuar operacionin e nënës së të hetuarës Mallkuçi, mund të ishte paguar një shumë prej 2 mijë eurosh. Theksojmë se nuk ka asnjë bisedë të të hetuarit Prifti, ku të përmendet ndonjë shumë e tillë. Gjithashtu, nuk rezulton i provuar fakti se një shumë e tillë i është dhënë të hetuarit. Sikundër del nga aktet, zonjat e sipërpërmendura janë vëzhguar nga afër prej shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe mbetet e pashpjegueshme pse nuk është ndërhyrë për të realizuar një flagrancë të krimit të korrupsionit qysh në fillim të muajit korrik 2020, kur ka ndodhur fakti i përmendur.
Nëse lekët dyshohej se ishin dhënë, atëherë ato mund të gjendeshin shumë lehtë në zyrën apo në xhepat e doktorit. Ndaj do të ishte shumë më e arsyeshme që kontrolli i zyrës të ishte kryer në korrik të vitit 2020 dhe jo shtatë muaj më pas, fakt që ngjall dyshime serioze mbi arsyet që kanë diktuar këtë inerci të organit të akuzës. Argumenti i sjellë nga prokurori se ndërhyrja dëmtonte hetimet nuk është bindës, ndërhyrja në kushtet e flagrancës nuk komprometonte hetimet në ngarkim të personave të tjerë, pasi korrupsioni në Gjykatë nuk kishte asnjë lidhje me paligjshmërinë e pretenduar në QSUT.
Masa ndaluese e zgjedhur nuk është proporcionale dhe dëmton interesin publik në një fushë delikate të mjekësisë, sikundër është kardiokirurgjia e zemrës. Kjo masë bëhet e paarsyeshme edhe nga zbehtësia e elementëve të provës në ngarkim të tij që, sikundër thamë, kufizohen në disa regjistrime bisedash telefonike dhe hamendje për pagesa të paligjshme, teksa provohet që zoti Prifti nuk është subjekt i përfshirë në to. Akoma më pa kuptim është ndalimi i plotë i ushtrimit të profesionit edhe në spitale private.
Marrë nga Panorama