Emisioni ’31 minuta’ në RTSH ka kryer një investigim mbi premtimin e shkuar dëm të kryebashkiakut Veliaj për ndërtimin e Parkut Besimi në kryeqytet.
Ky ishte një prej premtimeve të para të Erion Veliaj sapo mori mandatin e parë si kryetari Bashkisë së Tiranës ishte pikërisht projekti i ri Parku i Besimit. Bashkia e Tiranës e ndërmori hapin e parë duke i kërkuar Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për të zhvilluar një konkurs
me idetë më të mira për krijimin e këtij parku. Konkursi nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit u bë brenda vitit 2015 dhe iu dorëzua Bashkisë së Tiranës për zbatimin e projektit.
Por çfarë pikash përfshinte projekti i Parkut të Besimit dhe çfarë ka ndodhur me ato pika pas 6 vitesh.
Projekti i Parkut të besimit përfshinte Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me hapësirat e saj përreth dhe Piramidën. Në projekt-idenë fituese pikat që ishin përzgjedhur për t’u kthyer në parqe besimi ishin: Piramida, Lulishtja “Ismail Qemali”, Lulishtja “Tre vëllezëritFrashëri”, Hapësira midis Hotel Dajtit dhe Katedrales Katolike, Parku Rinia dhe Parku “Fan Noli” pranë Parlamentit.
Nga një vëzhgim i bërë nga 31 Minuta vërehet se në disa prej këtyre pikave ka pasur ndërhyrje por jo për krijimin e parqeve. Tek piramida po zbatohet një projekt tjetër, në hapësirën midis Hotel Dajtit dhe katedrales katolike po ndërtohet një pallat, ndërsa në parkun Rinia është zbatuar sërish një projekt tjetër. Ndërsa në pikat e tjera nuk ka ndonjë ndryshim. 6 vite më pas, Parku i Besimit duket se është i harruar. Nuk është harruar vetem ideja dhe entuziasmi që e shoqëroi, por edhe 67 milionë leke që u shpenzuan për konkursin.
“Të paktën piramida dhe pjesa mbrapa hotel Dajtit do jenë pjesë e një projekti të ri që është Parku i Besimit, ajo është një fushë e vdekur tani pjesa midis hotel Dajtit dhe katedrales katolike. Momentalisht është një pronë e vdekur, ka në një fushë futbolli mbasi shpallatittëpionerit.Gjithë territori rreth piramidës përfshi edhe piramidën do jenë pjesë e projekti i parkut të besimit. Do të kemi një konkurs ndërkombëtar, ideja e kryeministrit ka qënë përpara se të bëheshin diskutimet e bashkisë, që Shqipëria duhet të përfitojë nga një tjetër lloj turizmi që është turizmi religjioz dhe një lloj tjetër njohjeje e Shqipërisë ku Shqipëria nuk njihet vetëm si ish-Korea e Veriut për Evropën, por edhe një vend që ka një harmoni fetare që sigurisht u eksklamua më shumë nga vizita e Papës.Unë besoj që ideja është fantastike për Tiranën, për të tërhequr një lloj vizitorësh dhe turistësh që nuk fasinohen vetëm nga një vend tjetër në pashaportë por duan edhe të shohin diçka.”– është shprehur Veliaj.
Vetëm për realizimin e këtij konkursi AKPT-ja harxhoi rreth 67 milionë lekë.
Emisioni investigativ ’31 minuta’ kontaktoi me nënkryetarin e Bashkisë sëTiranës, Arbjan Mazniku i cili ishte edhe anëtar i jurisë për ta pyetur në lidhje me këtë projekt, por Mazniku refuzoi të përgjigjet. Gjithashtu iu drejtua Bashkisë së Tiranës edhe në mënyrë zyrtare me anë të një kërkesë për informacion, por në përgjigjen e Bashkisë së Tiranës e cila ishte deleguar Agjencisë së Parqeve dhe Reakracionit thuhej se kjo e fundit nuk dispononte informacion, pasi nuk i ishte deleguar procedura për realizimin e këtij projekti.
Një tjetër premtim për këtë park besimi u dha nga zëvendës kryeministri i asaj kohe, Niko Peleshi gjatë zhvillimit të konkursit për shpalljen e idesë fituese.
“Unë angazhohem në emër të Qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës që këto ide do t’i kthejmë në një realitet të materializuar shumë shpejt. Jemi të gatshëm që të alokojmë buxhetin e nevojshëm për të ndërtuar kopshtet e besimit në qendër të Tiranës të cilat në mënyrë kaq shumë domëthënes edhe simbolike janë pranë objekti që është real estate me i vlefshëm në Shqipëri por ende i patrajtuar pa marrë ende funksionet e veta, nuk mund të ketë një funksion domëthënës sesa Europa në zemër të kryeqytetit tek Piramida.”
31 minuta kontaktoi me Peleshin i cili aktualisht mban postin e ministrit të mbrojtjes për ta pyetur në lidhje me zotimin e tij të bërë para 6 vitesh. Ish-zëvendes kryeministri ia kaloi topin Bashkisë së Tiranës duke thënë se duhet ta zbatojë ajo projektin.
Ndërsa arkitekti Jurtin Hajro i cili ishte fituesi i idesë më të mirë në bashkëpunim me Unlab u shpreh në një intervistë për ’31 minuta’ se ideja e tyre ishte reaksionare ndaj kontekstit.
“Mendoj se ky ka qënë një projekt ide dhe mendoj se aty janë hedhur parimet që padyshim kanë qenë të lidhura me konteksin me gjendjen ekzistuese të asaj kohe, flasim para 5 vitesh por që janë ide që kanë një bosht parimor dhe që mund të gjejnë vend edhe në kohët e tanishme. Synimi nuk është që të bëjmë edhe të ç’bëjmë disa herë në të njëjtin vend me ndërhyrjet e njëpasnjëshme, synimi është që ne, nëse kemi kërkuar nëpërmjet këtij projekti të kemi një sjellje për një angazhim po themi ndërkulturor midis feve të ndryshme, ne mundemi që këto ide t’i aplikojmë në ato vende ku nuk ka pasur ndërhyrje, personalisht mendoj nuk do të ishte mirë që riktheheshim që të ndërtonim vazhdimisht në vende ku kanë marrë një drejtim”.
Sakaq jashtë kamerave ai shprehet se ky projekt nuk do të zbatohet asnjëherë.