Sot dhe nesër në Berlin të Gjermanisë do të mbahet Kongresi i radhës i Partive Europiane Socialiste. E ftuar në këtë kongres nga Shqipëria është Partia Socialiste, ndërkohë që nuk është ftuar Partia e Lirisë e Ilir Metës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka zbardhur çështjet e diskutimit të Kongresit të Partive Socialiste Europiane (PES).
Balla shkruan se forcat politike progresiste nga mbarë Europa mblidhen sot sëbashku të diskutojnë sfidat me të cilat përballet Europa: inflacioni i luftës dhe çmimet e larta të energjisë, degradimi i sigurisë ndërkombëtare, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale.
Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se është nisur drejt Berlinit, ku po merr pjesë në kongresin që po mbahet nga Partitë Socialiste Evropiane.
‘Në Berlin, ku forcat politike progresiste nga mbarë Europa, mblidhen sot në Kongresin e Partive Socialiste Europiane për të diskutuar si të përballemi me sfidat e përbashkëta të së sotmes, nga inflacioni i luftës tek kriza e imponuar e energjisë, e me radhë me sytë nga e ardhmja e Familjes Sonë Europian.’- shkruan Rama
Partia e Socialistëve Evropianë (PES) bashkon Partitë Socialiste, Socialdemokrate dhe Partitë e Punës të BE-së, bashkë me vendet fqinje të Unionit, si Britania e Madhe apo Norvegjia por të ftuar janë edhe partitë e majta të Ballkanit. PES është platforma e përbashkët, ku anëtarët bashkohen: aktivistë, drejtues partish, sekretarë të përgjithshëm, liderë, organizata rinore, deputetë, eurodeputetë, komisionerë evropianë, ministra dhe kryeministra të partive socialiste, socialdemokrate, të punës dhe demokratike dhe organizata brenda Evropës.