Pediatri kosovar, Gëzim Xharra ka kritikuar procedurën e vënies së fëmijëve në gjumë përmes djepit.
Xharra tha se çuditet që Qeveria e Kosovës, për mbi 20 vjet, nuk ka marrë masa në largimin e dhunshëm të djepave. Xharra e ka cilësuar vendosja e foshnjës në djep si një akt dhune dhe ka thënë se në vendet e perëndimit, fëmijët mund t’i merren familjes për këtë veprim. Pediatri ka paralajmëruar se për vendosjen e fëmijëve në djep do të ankohet edhe në instanca ligjore.
“Ky veprim i joni ka qenë traditë edhe tek shumë popuj të tjerë që më kohë e kanë larguar. Për shembull një gjë e tillë me ndodhë në botën perëndimore merret si abuzim i rëndë i fëmijës dhe është shumë vështirë që ti ta mbash atë fëmijë në familje, sepse menjëherë ta merr shteti.
E dimë se djepi është një akt i dhunës, një vend ku vendoset fëmija, lidhet në katër gjymtyrët, që asnjë kafshë nuk lidhet në këtë mënyrë dhe në atë mënyrë, dhe lëkundet, gjë e cila shkakton tronditje të trurit. Do ta bëj këtë çështje të madhe dhe do të shkojë në instancat më të mëdha ligjore që ta ç ‘bëj punën e djepit”, deklaroi pediatri.