Për herë të parë që nga krijimi i tij para 228-vjetësh, një ndër muzetë më të famshëm në botë do të drejtohet nga një grua: 54-vjeçarja Laurence des Cars.
DW shkruan se Laurence des Cars, e cila është momentalisht presidente e muzeve Musée d’Orsay dhe Musée de l’Orangerie, u emërua në këtë pozicion nga vetë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Ajo është gruaja e parë që kryeson Luvrin që nga hapja e tij në vitin 1793. Muzeu i Luvrit në Paris është një nga muzetë më të vizituar të botës dhe simbol i trashëgimisë kulturore franceze jo vetëm në Francë.
Louvre 2030
Për pozicionin kishin aplikuar me një master plan disa kandidatë – ndër ta edhe drejtori aktual i Luvrit, Jean-Luc Martinez. Por Laurence des Cars fitoi me dosjen e saj me titull “Louvre 2030“.
Drejtoresha e sapoemëruar synon të tërheqë veçanërisht vizitorë të rinj në muze. Për këtë ajo dëshiron që, ndër të tjera, të punojë me yje të famshëm për të rifreskuar imazhin e Luvrit dhe për të realizuar idenë e saj që Luvri të bëhet “plotësisht bashkëkohor”.
Tërheqës për vizitorë të rinj
Laurence des Cars, me profesion historiane arti, e specializuar për artin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, tha pas emërimit: “Ne duhet të hapemi kundrejt botës së sotme dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të flasim për të kaluarën tonë.“