Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke publikuar një video që përmbledh përgjimet e publikuara vitet e fundit që kanë implikuar njerëzit e qeverisë Rama. Video-ja përmbledh momente që nga Tahiri me Habilajt, tek dosja 184 dhe përgjimet e antimafias italiane së fundmi. Numri dy i PD-së ka thënë se Rama vetëm justifikohet dhe nuk di kurrë asgjë.
“Sa herë njerëzit e tij kapen në përgjime në pazar me trafikantët e drogës, duke blerë vota me krimin e organizuar apo duke shitur tendera, koncesione dhe leje ndërtimi, Edi Rama vetëm justifikohet”, shkruan ai.
Sipas tij kjo është qeveria më e korruptuar dhe më e keqe në historinë e Shqipërisë, dhe më 25 prill shqiptarët do të votojnë për ndryshimin.