EKUADOR– Të paktën 68 të burgosur janë vrarë e më shumë se 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përplasjeje mes dy bandave në një nga burgjet më të rrezikshme të Ekuadorit, në Guayaquil. BBC shkruan se gjithçka ka nisur të premten në mbrëmje, kohë kur edhe autoritetet e burgut kanë ndërhyrë për të shuar gjakrat, por nu kia kanë dalë dot. Për pasojë, lufta pas hekurave ka vijuar me orë të tëra duke sjellë kështu dhe bilancin tragjik e koka të prera.
Rrethimi i burgut dhe siguria e lartë jashtë mureve ka bërë që të paktën të mos ketë arratisje të kriminelëve të rrezikshëm që vuajnë dënimin në atë burg. Pablo Arosemena, Guvernatori i provincës ku ndodhet burgu, tha se incidenti i fundit ka ndodhur për shkak se lideri i një prej bandave është liruar nga burgu.
Gati 300 të burgosur kanë vdekur deri më tani këtë vit në burgjet e vendit, por përplasja e shtatorit ishte më e keqja në historinë e Ekuadorit. Rreth 119 të burgosur humbën jetën gjatë një trazire në burgun Litoral më 28 shtator.
Në muajin shkurt, si pasojë e dhunës në burgje u vranë 79 të burgosur, dhe 22 të tjerë në një përleshje tjetër në muajin korrik. Burgjet e Ekuadorit aktualisht strehojnë rreth 9,000 të burgosur më shumë nga sa ishte projektuar të mbanin.
Luftërat vdekjeprurëse vijnë si pasojë e ndikimit në rritje në Ekuador të bandave të krimit transnacional, si kartelet Sinaloa dhe Jalisco, me bazë në Meksikë.