BRITANI– Sipas shifrave nga Zyra për Statistikat Kombëtare, 60% e njerëzve që vdiqën me Covid-19 në Angli deri në Nëntor të vitit të kaluar kishin një paaftësi. Për njerëzit që kishin një aftësi të kufizuar të të mësuarit të diagnostikuar nga ana mjekësore, rreziku i vdekjes ishte 3.7 herë më i madh për burrat dhe gratë sesa për njerëzit që nuk e kishin.
Sipas The Guardian, njerëzit me diabet, si dhe ata me një aftësi të kufizuar të rëndë ose të thellë, janë në grupin përparësor gjashtë për vaksinë. Ftesat për dozën e parë kishin filluar të dërgoheshin të hënën tek njerëzit në grupet prioritare pesë dhe gjashtë, që përfshin moshat mbi 65 vjeç dhe njerëzit që konsiderohen klinikisht të prekshëm.
Jo Whiley, një DJ e radio 2 në Britani, tha se ishte e shokuar kur asaj i erdhi ftesa për të bërë vaksinën, ndërkohë që motra e saj me aftësi të kufizuara ende nuk e kishte marrë një të tillë, dhe për fat të keq pak ditë më pas ajo rezultoi pozitive.
“Nuk mund t’ju them se sa zhgënjyese është dhe sa e tmerrshme është,”– tha ajo.
”Ndihem sikur po jetoj në një makth. Gjatë gjithë fundjavës ka qenë e tmerrshme, vërtet, vërtet e vështirë. Ka qenë e vështirë për prindërit e mi, ka qenë e vështirë për të gjithë në shtëpinë e kujdesit dhe vazhdon. Dhe pastaj, si për ironi të fatit, mora një mesazh për të thënë se duhej të bëja vaksinën time para motrës sime e cila ka pasur vështirësi në të mësuar dhe në kushtet e shëndetit”– përfundoi ajo.
Ministri i vaksinave, Nadhim Zahawi tha se njerëzit me aftësi të kufizuara në kujdesin rezidencial tani do të fillonin të merrnin vaksinën: “Rasti që sapo më përshkruat, duke jetuar në kujdesin rezidencial me aftësi të kufizuara të të mësuarit, tani po vaksinohet në kategorinë e gjashtë. Ne sapo kemi filluar kategorinë pesë dhe gjashtë, kjo po ndodh tani, kështu që çështja do të merret.”