Kryetari i Partisw Demokratike, Lulzim Basha ka folur edhe një herë lidhur me vendimin e tij për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i partisë. Basha tha se ka një orkestër të mirëpaguar dhe të mirëdirigjeruar që hedh shigjeta e rrufe në drejtim të tij, por tashmë ai e ka marr këtë vendim, që sipas tij i takonte. Basha ka theksuar qëndrim e tij proamerikan, si pjesë të vendimti që mori më 9 shtator.
DEKLARATA E PLOTË:
“Mblidhemi sërisht në këtë sallë, pak muaj pasi të gjithë bashkë ngarkuam njëri-tjetrin me përgjegjësinë për të cuar përpara përballjen me kundërshtarin tonë politik, të vendosur për të mos hequr dorë nga detyra që na besuan qytetarët, atë për ndryshimin, që pengoi egërsisht nga masakra zgjedhore. U mblodhëm në 17 korrik, por u mblodhëm me një gur në zemër dhe një nyje në fyt. Personit që mes nesh i kishim vendsour mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavderime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilesimi non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pezmi ishte i madh. Pse ne dhe pse tani? Ishin pyetjet që mbizotëronin mes nesh. Është e vështirë të shpjegohen me fjalë, aq më tepër një trupe politike që ka emocionet e saja në lidhje me këtë cështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla. Jo për shkak të vështirësisë të vendimmarrjes, por për shkak të pasojave që ato prodhojnë te njerëzit. Në rastin tonë, mencuria për të njohur diferencën midis gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë. Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë! Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot.
Midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar.
Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë. Jemi përballur me një fushatë në kufinjtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyrur PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës.
Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës. Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike. Por unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren. Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fateit personal të një personi kushdo qoftë ai. Pandaj cfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë”, tha Basha.