Arrestohet në Tiranë një 40 vjeçar i kërkuar në Itali si pjesë e një organizate kriminale me qëllim shfrytëzim prostitucioni.
“Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë.
Arrestohet provizorisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 40-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit”.
Strukturat hetimore në DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
I. alias I. M., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Salernos, Itali, ka lëshuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit”.
Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 20 vite burgim.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit të Trafiqeve në DVP Tiranë u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin drejt Italisë”, njofton policia.