Një 36-vjeçar, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje është arrestuar sot në Shkodër.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, Forcat e Posaçme “Shqiponja” kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skënderbeg”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. D. 36 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”.
36-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, më datë 25.08.2020, gjatë një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri duke i plagosur në këmbë, shtetasit E. Gj. 24 vjeç, banues në fshatin Bradhaj, Shkodër, dhe N.P. 24 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, të cilit pas mjekimit të marrë në spital janë larguar për në banesë.
Materialet shtesë në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.