Pranvera do të vijë me diell dhe me mot të ngrohtë. Nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak mësohet se java e parë e muajit mars do të nisë e ngrohtë dhe me diell deri në mesjavë, kohë kur vranësirat do të kthehen sërish.
Sipas këti shërbimi, nga dita e hënë deri ditën e enjte moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira kalimtare, më të përqendruara përgjatë relieveve malore.
Dita e premte ka ndryshim të kushteve meteorologjike, sepse gradualisht do të fillojnë të depërtojnë masat ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin mot kryesisht të vranët dhe reshje shiu, me intensitet të ulët deri mesatar.
Në orët e vona të mbrëmjes në lartësinë mbi 800 metra në verilindje dhe mbi 1000 metra në juglindje, do të rikthehen reshjet e borës me intensitet të ulët.
Era parashikohet të jetë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 1-8/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore fiton shpejtësi deri në 15m/sek. Ditën e premte, era kthen nga kuadrati i jugut me shpejtësi 1-10m/sek. Ndërsa, valëzimi në dete do të jetë 2-3 ballë.