Sekretari i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi nëpërmjet një postimi në Facebook shprehet se që tani e tutje nuk do kthejë më përgjigje në lidhje me akuzat që mund të bëhen nga partia socialiste, ose ndryshe siç ai i quan Sektori i Strukturuar Spiropalist i Rilindjes.
Kjo pasi Blushi është ndjerë i fyer nga deklarata e fundit e Ballës, për të cilën kërkon dhe falje. Dero atëherë ai thotë se përgjigjet do ti japë ndihmësja e tij.
Postimi i Tedi Blushit: Të dashur kolegë gazetarë, Në përgjigje të interesimit tuaj për një reagim ndaj deklaratave të z.Balla, më duhet t’ju kujtoj se për shkak të fyerjeve të papranueshme që ai personalisht u ka bërë gjakut të Dëshmorëve të Atdheut, kam vendosur të mos i kthej më përgjigje, atij, dhe të gjithë anëtarëve të Sektorit të Strukturuar Spiropalist të Rilindjes (SSSR), deri ditën kur të kërkojnë falje dhe të shfaqin pendesë të thellë. Por sigurisht, pa përgjigje nuk do të mbeten! Nga sot e në vijim, të gjithë anëtarët e SSSR-së, do të marrin përgjigjet e duhura nga disa prej Ndihmësve të mi. Ju bëj me dije se pas pak, përgjigjen për z.Balla do ta japë Ndihmësja, znj.Sara Lleshi.