Duket se Barcelona po nxiton për ta mbyllur sa më shpejt transferimin e mundshëm të Xhorxhinjo Vajnaldumit. Agjentët e futbollistët kanë qenë paraditen e djeshme në zyrat e “Camp Nout”. Kjo është hera e dytë në tri ditë që palët janë takuar në institucionin katalanas.
Kamerat e “Gol” kanë fiksuar në mesditë agjentët, të cilët po linin stadiumin. Mësohet se palët kanë rënë dakord për ta mbyllur marrëveshjen përpara fillimit të kampionatit Europian dhe pastaj lojtari të përfshihet maksimalisht në aventurën me kombëtaren. Ideja e klubit është të firmosë deri në vitin 2024.
Nga ana tjetër, Barcelona kërkon që t’i bëjë konkrete dhe zyrtare të gjitha gjërat e mundshme. Prej disa muajsh bisedimet me mesfushorin janë intensifikuar. Aventura e tij ka përfunduar me skuadrën e Liverpulit sepse është lojtar pa kontratë. Kjo javë mund të jetë vendimtare për zyrtarizimin e tij, raporton Panorama Sport.
Vajnaldumi ishte një kërkesë e trajnerit Kuman, por pavarësisht faktit nëse ai do të qëndrojë apo do të largohet, futbollisti pëlqehet edhe nga drejtuesit. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me trajnerin, pasi klubi ka kërkuar 15 ditë kohë për të zgjedhur pasardhësin e tij.