Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ajo e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi po zhvillojnë sot një konferencë për bilancin e vitit 2022 dhe pritshmëritë e këtij viti.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka renditur arritjet e vitit 2022 për arsimin duke përmendur se po punohet për të rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe si dhe abetaren e përbashkët unike Shqipëri-Kosovë.
“25 shkolla dhe ambjente sportive rikonstruktuam gjatë vitit 2022. Kemi 79 godina arsimore e kopshte të rindërtuara. Dua të përmend 12 shkollat e reja të Bashkisë së Tiranës që arritën të hapeshin dhe janë investime shumë të mira e me perspektivë për vetë rritjen. Kemi ndërhyrë gjatë vitit 2022 në të gjitha aspektet e cilësisë së shërbimeve arsimore. Kemi patur vëmendje të shtuar për nxënësit me aftësi ndryshe gjatë vitit 2022, kemi rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës që tashmë janë me profil të arsimit special. Në bashkëpunim me universitetet janë hapur programe të reja për mësues ndihmës për nxënës me aftësi ndryshe. Nuk i përmbushim 100% nevojat por shpresojmë që shumë shpejt mësuesit të jenë të gjithë të arsimuar me shërbim special.
Qëllimi është edhe t’i kualifikojmë e trajnojmë që puna e tyre të jetë më cilësor. Kemi ndërhyrë edhe te punonjësit psiko social që të jetë shërbim i standartizuar. Kemi 880 punonjës psikosocial. Ka ndërgjegjësim të rritur nga nxëenësit dhe prindërit për cilësinë e këtij shërbimi.
Jam krenare që këtë vit hapëm shkollën e mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë. Edhe abetarja e përbashkët unike është punë e bërë me shumë përkushtim”, tha Kushi.