Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas paralajmërimit të qytetarëve se do të ngrihen në protestë për të kundërshtuar projektin e ‘Sheshit të Flamurit’ në Vlorë. Sipas Ramës, projekti nuk parashikon asnjë stacion autobusi që pretendohet nga qytetarët, ndërsa thotë se mezor pret përfundimin e kësaj vepre të Rilindjes Urbane.
Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit! U duket kolonata si stacion autobuzësh e duan shembjen e hotelit të tyre fantazëm, që arkitekti i famshëm belg e kthen në qendrën më të madhe social-kulturore të vendit! Nuk u ve faj se as nuk dinë as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë, po Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur, që mezi pres ta shoh të realizuar megjithë qendrën social-kulturore, e cila do t’i japë Vlorës një përmasë të re!’- shkruan Rama në ‘Twitter’.
Ditën e nesërme është paralajmëruar të zhvillohet një protestë në Vlorë, kundër projektit të Rilindjes Urbane në sheshin e Flamurit. NJOFTIMI i tyre: Të dielën ora 11:00 do të ketë një protestë në “ Sheshin e Flamurit në Vlorë” e cila do të kërkoi transparencë për projektin më të turpshëm të Vlorës. Projekt i cili nuk shemb pallatin 15 katësh dhe njëkohësisht ndërton një stacion autobusi në funksion të tij.