Presidenti Ilir Meta ka shprehur mirënjohjen për të gjithë gazetarët e terrenit dhe operatorët e mediave që kanë mbuluar protestën gjatë ditëve të fundit dhe kanë përcjellë informacionin për publikun. Kreu i shtetit shkruan se informimi i publikut dhe transparencës është themelore për demokracinë. Meta inkurajon gazetarët që të vijojnë misionin e tyre pa u dhunuar e kërcënuar dhe pa u censuruar.
Gjatë protestave që kanë përfshirë ditët e fundit vendin tonë, janë regjistruar episode dhune si dhe kanë përfunduar në përdorimin e gazit lotsjellës nga ana e policisë, duke i bërë më të vështira kushtet e punës së gazetarëve.
“Respekt dhe mirënjohje të thellë për gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet e tyre mbështetëse!
Në këto ditë të vështira për të gjithë, keni shkëlqyer me profesionalizëm dhe kurajë, në shërbim të informimit publik dhe transparencës. Është themelore për demokracinë, që secili prej jush, të jetë në gjendje të vijojë misionin, pa u dhunuar, ndaluar, kërcënuar dhe frikësuar. Do të jem përherë në krahun tuaj, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias! ”