Tiranë- Ministria e Brendshme ka publikuar ekstraktin e pestë të listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative duhet të printojnë ekstraktin e përbërësve zgjedhore sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ky ekstrakt, si edhe katër të parët, do firmoset nga kryetari i Bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për qytetarët ku çdokush mund të verifikojë emrin në listë.
Nga data 3 shkurt 2021, DPGJC do të nisë verifikimet për publikimin e listës së pestë të zgjedhësve. Çdo qytetar mundet të verifikojë edhe online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania. Ministria e Brendshme njoftoi se për çdo paqartësi ose problem që lidhet me listën zgjedhore, qytetarët kanë mundësi të kontaktojnë me Zyrat e Gjendjes Civile përkatëse ose në adresat zyrtare të Ministrisë së Brendshme.
Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua në 5 Tetor 2020, ekstrakti i dytë në 2 Nëntor 2020, ekstrakti i tretë në 1 dhjetor 2020, ekstrakti i katërt në 4 Janar 2021.