Me kërkesën se inspektorët duhet të jenë efektivë në çdo pikë kufitare ndaj produkteve ushqimore që importohen në Shqipëri. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Qëndror, e thotë troç se siguria ushqimore vijon të jetë problematike. Duke shkuar menjëherë tek zgjidhja, z. Hajdari, shton për ACQJ se gjithë problemi mbi sigurinë ushqimore nis nga mospërdorimi i laboratorëve për çdo lloj produkti që prodhohet në vend apo që importohet, “sepse nëse do kemi laboratorë do parandalohet shpërndarja e çdo prodhimi që është jashtë standarti”, sugjeron Inspektori i Përgjithshëm. Megjithë përpjekjet ndër vite për të bllokuar tonelata me produkte në pikat kufitare si produkte mishi, gati 41 tonë banane, apo bllokimi i ushqimeve që mbajnë etiketa të falsifikuara, siguria ushqimore mbetet një nga problematikat më të mëdha që hasin konsumatorët shqiptarë. Fati i dosjeve të referuara për hetime nëpër prokurori të ndryshme mbetet pa përgjigjje, me përjashtim të atyre shkelësve që janë kapur në flagrancë duke prodhuar etiketa false, veçanërisht për pijet alkoolike. Por ndërkohë tregu vazhdon të jetë i mbushur me produkte pa etiketa standarde, produkte që janë të skaduara, apo edhe produkte që tregtohen pa asnjë informacion ku duhej të shtjellohej se çfarë përmban artikulli që i shitet konsumatorit.
Sa shumë kontrolle, por akoma më shumë ankesa
“Bleva në një supermarket të njohur kos frutash që duhet të skadontë në 17 dhjetor 2021, ai ishte i tëri i mykur”– thotë Ela, një studente që ndryshe nga shumë të tjerë që denoncojnë problemet me ushqimet në rrjetet virtuale, apo pranë strukturave për mbrojtjen e konsumatorit, e reja preferon ta deklarojë shqetësimin veçse si bisedë tavoline.
Vetëm për shtatë muajt e parë të 2021, 326 qytetarë u ankuan pranë institucioneve përkatëse dhe kërkuan ndjekje të problematikës me ushqimet. Shqetësimet lidhen me produktet e imituara, falsifikim etiketash dhe artikuj të skaduar.
“Gjithashtu ka ankesa edhe për përbërësit e nënprodukteve të mishit dhe të qumështit që nuk janë në standardet e deklaruara dhe reklamuara duke ulur kështu cilësinë e produktit. Një tjetër ankesë është për kushtet e ruajtjes dhe të tregtimit që janë në kundërshtim me ligjin e konsumatorëve, të ushqimit dhe shëndetit publik. Por ka edhe ankesa për cilësinë e akulloreve, Fast food-eve, sallamet, qoftet, kremvicet, salçiçet, vezët dhe për mishin e pulave të importit. Sakaq ankesa ka edhe për cilësinë e bukës, e ashtëquajtura bukë e zezë e cila në shumë raste është me ngjyrues sintetik. Po ashtu në ankesat e qytetarëve shtohet edhe ajo për përzierjen e gjalpit me margarinë dhe të vajit të ullirit me vaj ushqimor”, deklaron drejtori i Ankesave pranë Mbrojtjes të Konsumatorit Shqiptar, Hasan Stafa.
Për etiketat e falsifikuara, Shkëlqim Hajdari, i thotë Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore se duhet më tepër përgjegjshmëri institucionale.
“Duhet të ketë kritere të forta dhe profesionale e laboratorike kur licensojnë një produkt. Çdokush që krijon një etiketë, bëhen disa analiza dhe verifikime paraprake, por duhet të fuqizohet dhënia e etiketës”.
Vezë, qumësht dhe mishi me probleme
Hasan Stafa, flet me statistika mbi kontrollet e kryera dhe konfiskimet e mëpasshme që janë vendosur së bashku me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
“Nga 12 qershori deri me 27 korrik, AKU dhe Qendra e Ankesave të Konsumatorëve kanë kryer se bashku 167 inspektime në 12 qarqet e vendit. Janë konstatuar 32 raste të produkteve ushqimore të denatyruara në Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Tiranë. Janë konfiskuar 17 kv mish e nënprodukte të tij. Janë konfiskuar 800 litra qumësht e 3164 kokrra vezë që po përgatiteshin për akullore. Janë sekuestruar mbi 600 koli ujë dhe pije freskuese të ekspozuara në ambiente të hapura. Janë mbyllur përkohësisht 21 subjekte”, llogarit për ACQJ, shefi i zyrës së ankesave dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit flet për kontrolle që nisin nga një fluks inspektimesh prej 1170 kontrollesh nga Janari në Maj, që më pas janë përkthyer në gjoba, sekuestrime dhe 424 paralajmërime për ndërprerje aktiviteti. Këto të fundit, i referohen ligjit të inspektimit për rastet kur konstatohen shkelje.
“Kemi vendosur 10 gjoba me vlerë 1.150.000 lekë, për shkeljet si produkte jashtë afateve te përdorimit; mangësi në etiketimin e disa produkteve ushqimore; mungesë gjurmueshmërie të disa produkteve ushqimore. Për mangësitë e konstatuara nga ana e trupave inspektuese gjate kësaj periudhe në 6 raste janë bllokuar edhe sasitë prej 240.82 kg produktesh ushqimore si dhe 420 kokrra vezë”, përmendet në përgjigjen zyrtare të AKU-së.
Çmimet lart, cilësia e diskutueshme
Hasan Stafa, e shikon çështjen e ushqimeve në disa këndvështrime. Jo vetëm cilësia, falsifikimet, por edhe çmimet po ngjiten pa kontroll.
“Çmimet janë rritur në mënyrë spekulative për produktet bazë. Shporta familjare është rritur nga 24 deri në 62%. Është rritur çmimi i miellit, vajit, orizit, makaronave, vezëve, djathit, qumështit dhe kosit”, shprehet drejtori i Ankesave.
Ndërsa eksperti për sigurinë ushqimore, Alban Zusi shprehet se problemi më i madh është prodhimi informal dhe bujqësor si edhe produktet që nuk kanë një emër apo etiketë.
“Duke qenë informal nga ana fiskale është informal edhe nga pikëpamja e sigurisë ushqimore, është i pakontrollueshëm edhe nga pikëpamja ushqimore, veçanërisht ky problem është i theksuar në zinxhirin e produkteve blegtorale dhe me origjinë shqiptare. Ngelen gjithmonë të rrezikshëm produktet që shiten pa emër, pa markë, pa brend dhe për këto lloj produktesh konsumatori është i pa informuar” këmbëngul eksperti i ushqimeve
Sipas Zusit, siguria ushqimore nuk mund të garantohet vetëm me kontrolle në pikën fundore.
“Ajo çfarë duhet bërë më mirë është që të kontrollohet i gjithë zinxhiri i prodhimit, jo thjesht në supermarket, por që nga mbjellja e bimëve në arë, që nga lindja e kafshëve në stallë, për të ardhur pastaj tek marketet. Kjo është ajo çfarë duhet rregulluar në sistem, pra krijimi i një zinxhiri kontrollues që nga ferma deri në tavolinën e konsumatorit”.
Ka folur edhe KLSH, por…
Sakaq, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë Rajonale Tiranë të AKU-s, për periudhën 1 Janar 2018-30 Dhjetor 2020 ka zbuluar disa shkelje që ky institucion ka bërë.
Nga raporti i KLSH-së theksohet se janë gjetur disa shkelje sa i përket ligjit për ushqimin për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore.
Nga gjetjet e KLSH u konstatua se “Nga shqyrtimi i praktikës së mësiperme, KLSH konstaton se: mostra e produktit djathë ngeli pa u analizuar dhe indicia e ngritur për këtë produkt nuk u shqyrtua deri në fund, pasi edhe pas refuzimit të analizës laboratorike të mostrës, nuk u mor mostra e re.”
Por nga kontrollet e KLSH, zbulohet se subjekti u furnizua me një sasi të konsiderueshme djathi “Le guedete” me një sasi prej rreth 20 mijë kg, në dy furnizime në datën 03.02.2018, duke e shitur thuajse të gjithë sasinë në rreth 200 subjekte të tjera.
Auditi i KLSH-së, nxjerr në pah se po ashtu, çertifikatat e sigurisë së produktit djathë “Le guedete”, bashkëlidhur praktikës së importit, janë në gjuhën polake dhe jo në gjuhën shqipe, një detyrim i përcaktuar në nenin 18 të Ligjit të ushqimit. Ky fakt nuk duhet të anashkalohej nga inspektorët që kanë bërë inspektimin pranë këtij subjekti, të cilët duhet të kishin marrë masë administrative (minimalisht në vlerën 1,000,000 lekë, por që nuk e kanë bërë), por edhe nga inspektorët e pikës kufitare, prej nga ka hyrë produkti ushqimor.
Sipas raportit të KLSH-së, sistemi i gjurmueshmërisë nuk është kontrolluar plotësisht, dhe për këtë arsye është arritur në konkluzionin se në këtë rast nuk është garantuar siguria dhe cilësia e produktit ushqimor si pasojë e mos reagimit të titullarëve dhe të inspektorëve.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al